Revista kroate demanton Vuçiqin: Marrëveshja KS-AL-HR u koordinua me ShBA-në dhe NATO-n

  • A.P /
  • 27 March 2025 - 08:21
Revista kroate demanton Vuçiqin: Marrëveshja KS-AL-HR u koordinua me ShBA-në dhe NATO-n

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia, javën e kaluar nënshkruan në Tiranë një marrëveshje bashkëpunimi ushtarake, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Për këtë, Serbia reagoi ashpër, duke thënë se është dashur të pyetet ajo, se ka shkelur një marrëveshje të vitit 1996, se është kundër Serbisë, dhe se u bë pa dijeninë e ShBA-së dhe NATO-s.

Mirëpo, ministrat e mbrojtjes nga shtetet nënshkruese, thanë se marrëveshja nuk ka për cak askënd, por synon forcimin e sigurisë në vendet respektive dhe ka për qëllim bashkëpunimin në aspektin e sigurisë mes vendeve nënshkruese, raporton Klankosova.

E revista kroate “Nacional”, ka hedhur poshtë edhe pretendimin e Beogradit zyrtar se ajo u bë pa aminin e ShBA-së dhe të NATO-s.

“Bashkëpunimi i ri ushtarak mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, për të cilin ministri i mbrojtjes, Ivan Anushiq, javën e kaluar udhëtoi në Tiranë për të nënshkruar deklaratën me ministrin e mbrojtjes të Shqipërisë, Pirro Vengu dhe atë të Kosovës, Ejup Maqedonci, është dakorduar, ose më saktë u koordinua, me administratën e presidentit amerikan Donald Trump dhe me udhëheqjen e NATO-s”.

Këtë, revista kroate “Nacional” thotë t’ua ketë ka konfirmuar jozyrtarisht një burim i lartë pranë Ministrisë së Mbrojtjes të Kroacisë.

(Kosova Sot Online)