Pavarësisht fletarrestimit nga GJNP-ja, Netanyahu viziton Hungarinë

  • A.P /
  • 03 April 2025 - 10:30
Pavarësisht fletarrestimit nga GJNP-ja, Netanyahu viziton Hungarinë

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka arritur në Hungari më 3 prill, në udhëtimin e tij të parë në Evropë që kur Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi fletarrestim ndaj tij lidhur me krimet e pretenduara të luftës në Gazë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ministri i Mbrojtjes i Hungarisë, Kristof Szalay-Bobrovniczky, u takua me Netanyahun në aeroportin e Budapestit rreth orës 02:30 dhe më pas, përmes një postimi në Facebook, njoftoi se udhëheqësi izraelit kishte arritur për vizitë në shtetin e tij.

“Mirë se erdhët në Budabest, Benjamin Netanyahu”, shkroi Szalay-Bobrovniczky, duke publikuar edhe fotografi me udhëheqësin izraelit gjatë takimit të tyre në aeroport.

Pavarësisht fletarrestimit, Netanyahu është i sigurt se nuk do të arrestohet gjatë vizitës së tij katërditore.

Si nënshkruese për gjykatën në Hagë, Hungaria e ka për obligim që ta arrestojë atë, por situata e brendshme ligjore e Budapestit është e ndërlikuar dhe kjo i ka dhënë hapësirë të mjaftueshme Qeverisë që ta mirëpresë kryeministrin izraelit.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, publikisht e ka ftuar Netanyahun për vizitë në nëntor, pak pasi GJNP-ja lëshoi fletarrestimin.

“I garantoj atij, nëse vjen, se vendimi i GJNP-së nuk do të ketë efekt në Hungari”, deklaroi Orban.

Burimet diplomatike brenda Hungarisë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se shteti ka vendosur që të tërhiqet nga GJNP-ja, edhe pse një vendim i tillë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Orban është rreshtuar afër me Netanyahun dhe me presidentin amerikan, Donald Trump, i cili po ashtu ka kritikuar vendimin për lëshimin e fletarrestimit.

Trump ka vendosur sanksione ndaj GJNP-së muajin e kaluar, duke e kritikuar si “të pabazë” fletarrestimin për Netanyahun dhe ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant.

Në aktakuzë thuhet se Netanyahu “pretendohet se është përgjegjës për krimin e luftës, përkatësisht të përdorimit të urisë si metodë lufte dhe qëllimshëm ka drejtuar një sulm kundër popullatës civile dhe për krime lufte të vrasjes, përndjekjes dhe akteve të tjera çnjerëzore që nga 8 tetori 2023 e deri më 20 maj 2024”.

GJNP-ja nuk mund të arrestojë askënd, por varet nga shtetet që e kanë nënshkruar traktatin për krijimin e gjykatës – Statutin e Romës – që të zbatojnë fletarrestimet.

(Kosova Sot Online)