
Disa persona që u angazhuan në procesin e zgjedhjeve ende nuk janë paguar nga KQZ-ja

Disa persona që janë angazhuar në procesin zgjedhor të 9 shkurtit 2025 ende nuk kanë marrë pagesat për punën e kryer, por kjo nuk ka ndodhur për faj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), por për shkak të gabimeve nga vetë të angazhuarit në proces, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, vonesat kanë ndodhur për arsye të zakonshme që përsëriten pothuajse në çdo proces zgjedhor, siç janë: Gabime në shënimin e numrit të llogarisë bankare, llogari bankare joaktive dhe llogari bankare që nuk janë personale.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me procedimin e listave në Ministrinë e Financave për pagesat e personave të angazhuar gjatë fazave të ndryshme në procesin zgjedhor dhe ky proces është në përfundim e sipër”, ka deklaruar Elezi
Ai ka shtuar se për të gjitha rastet ku ka pasur mospërputhje, janë duke u bërë përmirësimet e nevojshme, me qëllim që pagesat të ridërgohen për ekzekutim në Ministrinë e Financave.
(Kosova Sot Online)