
Sallahu pret votimin e Albulena Haxhiut si kryetare Kuvendi

Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka deklaruar se pret që sot Kuvendi i Kosovës të votojë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, si e propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ai ka theksuar se partia e tij ka përmbushur obligimin kushtetues sipas nenit 67 të Kushtetutës.
“Neni 67, paragrafi 2 i Kushtetutës përcakton se Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Si Lëvizje Vetëvendosje!, e kemi përmbushur këtë nen duke e propozuar për kryetare të Kuvendit znj. Albulena Haxhiu, e cila i ka gjithsej 125,327 vota, pra është në pesëshen më të votuar në parti dhe gruaja më e votuar në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Sallahu në një postim më 20 prill.
Ai ka paralajmëruar se, nëse Kuvendi vazhdon të mbetet i bllokuar, atëherë “e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet”.
(Kosova Sot Online)