Kamberi: Qeveria e re e Serbisë nuk përfaqëson ndryshim

  • A.P /
  • 21 April 2025 - 07:13
Kamberi: Qeveria e re e Serbisë nuk përfaqëson ndryshim

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se qeveria e re e formuar në Serbi nuk përfaqëson ndryshim, por vazhdimësi të plotë të politikave të presidentit Aleksandar Vuçiq, si në përmbajtje, ashtu edhe në qasje ndaj pakicave dhe dialogut me Kosovën, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në një kohë kur Serbia po përballet me kritika për mungesën e përfshirjes demokratike dhe respektimin e të drejtave të pakicave, deputeti shqiptar Shaip Kamberi ka vlerësuar se qeveria e re në Beograd nuk sjell asnjë përparim.

“Që pas ekspozesë së mandatarit për kryeministër u bë e qartë se kjo është një qeveri e vazhdimësisë. Nuk u përmendën as të drejtat e njeriut, as të pakicave, as liria e shprehjes – ose u përmendën vetëm në mënyrë sipërfaqësore,” theksoi Kamberi.

Ai shtoi se është shqetësues fakti që kryeministri i ri nuk pranon ekzistencën e krizës politike dhe shoqërore në Serbi, duke lënë të kuptohet se qeveria e re do të vazhdojë me të njëjtën politikë, pa përjashtuar as masa represive ndaj studentëve që janë aktualisht në bllokadë.

“Qeveria e re nuk është zgjidhje, por mënyrë për të blerë kohë. Është një qeveri marionetë e Vuçiqit, e krijuar për të menaxhuar krizën deri në momentin që ai vlerëson të shpallë zgjedhje të reja,” tha Kamberi.

Sipas tij, fakti që qeveria është e vazhdimësisë nënkupton edhe “vazhdimësi të diskriminimit ndaj shqiptarëve dhe mospërfshirjen reale të pakicave në institucionet shtetërore”. Ai përmendi se edhe deputetët e pakicave të tjera, që kanë qenë pjesë e koalicioneve qeverisëse për katër mandate, nuk kanë arritur të sigurojnë punësim të barabartë për komunitetet që përfaqësojnë.

“Pas më shumë se një dekade pjesëmarrjeje në pushtet, nëse nuk është arritur punësimi i barabartë i pakicave në institucionet shtetërore, atëherë flasim për një politikë të qartë diskriminuese, veçanërisht ndaj shqiptarëve, për shkak të marrëdhënieve me Kosovën,” theksoi ai.

Duke komentuar emërimin e Demo Berishës, shqiptar i afert me pushtetin serb, si ministër për të drejtat e njeriut dhe pakicave, Kamberi tha se ai nuk ka asnjë legjitimitet përfaqësues në mesin e shqiptarëve në Serbi.

“Emërimi i një kandidati të tillë kontradiktor është dëshmi se kjo qeveri nuk i ka prioritet të drejtat e njeriut. Ky post i është dhënë për spektakël politik dhe jo për të avancuar të drejtat reale të shqiptarëve. Demo Berisha nuk përfaqëson shqiptarët, veçanërisht jo ata që jetojnë në Luginën e Preshevës,” tha Kamberi.

Ai e krahasoi këtë rast me emërimin e ish-ministrit Tomislav Zhigmanov, përfaqësues i pakicës kroate, i cili sipas Kamberit, gjithashtu ishte përdorur si element dekorativ në dy mandate.

Lidhur me qëndrimin e qeverisë së re ndaj Kosovës, Kamberi tha se nuk ka asnjë shenjë për ndryshim të qasjes.

“Qasja ndaj Kosovës vazhdon të jetë në kundërshtim me realitetin politik dhe me mundësitë reale të zhvillimit të dialogut. As kjo qeveri nuk premton kthim në racionalitet,” tha Kamberi. 

(Kosova Sot Online)