
Musliu: Lumir Abdixhiku s’po guxon të bëhet as me Kurtin e as me neve

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka folur për propozimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, që të formohet një qeveri e tranzicionit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Musliu ka thënë se qëndrimi i saj personal është se LDK-ja frikësohet të marrë vendime.
“Qëndrimi im personal është se LDK-ja gjithmonë duke u frikësuar të marrë vendime e ka lënë Kosovën shumë mbrapa, as nuk shtyhet e as nuk ngrehet, që thotë populli. Ata as nuk po guxojnë të bëhen me Albinin e as me ne, duhet të jetë një lider që tregon pjekuri dhe të pozicionohet njëherë e mirë qartë”, ka thënë Musliu.
Deputetja tutje ka shtuar se propozimi i Abdixhikut është hajgare.
“Nuk bën PDK-ja, nuk bën LVV-ja e tash hajde po bëhemi bashkë të gjitha. Kjo është me bë hajgare me votën e qytetarëve të Kosovës dhe me thellu edhe më tej krizën politike në vend. Adoleshenca politike duhet të marrë fund dhe kryetarët e partive që më nuk e meritojnë me i quajt as liderë duhet të tregohen të përgjegjshëm ndaj shtetit dhe qytetarëve të saj”, tha ajo.
Musliu shtoi se partia e saj PDK-ja sot do të mbajë mbledhje të Kryesisë, ku do të dalë me një qëndrim zyrtar si parti rreth propozimit të Lumir Abdixhikut.
(Kosova Sot Online)