PKK i jep fund luftës 50-vjeçare me Turqinë

  • A.P /
  • 12 May 2025 - 10:53
PKK i jep fund luftës 50-vjeçare me Turqinë

Pas dekadash konflikti me Turqinë, militantët kurdë të PKK-së kanë njoftuar vendimin e tyre për shpërbërje, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas mediave pranë grupit militant separatist, CNN raporton se Partia e Punëtorëve të Kurdistanit ka thënë se do të shpërbëhet vetë, pas dekadash konflikti me Turqinë që kanë lënë vrarë dhjetëra mijëra njerëz.

“Kongresi i 12-të i PKK-së vendosi të shpërbëjë strukturën organizative të PKK-së dhe t’i japë fund metodës së luftës së armatosur”, ka thënë grupi në një deklaratë, sipas agjencisë së lajmeve pro-kurde Firat Neës Agency.

Tutje është shtuar se “procesi praktik” i shpërbërjes do të menaxhohej nga udhëheqësi i tyre i burgosur, Abdullah Oçalan, dhe se ata kanë “përfunduar punën e kryer nën emrin e PKK-së”.

Kujtojmë se, për gati pesë dekada, Turqia ka qenë në luftë me PKK-në, e themeluar nga Oçalan në vitin 1978. Pjesa më e madhe e luftimeve është përqendruar në dëshirën e grupit për të krijuar një shtet të pavarur kurd në juglindje të vendit, megjithatë vitet e fundit grupi ka bërë thirrje për më shumë autonomi brenda Turqisë.

Kërkesa për shpërbërje të grupit ishte bërë që në muajin mars nga Oçalan, i cili u kishte bërë thirrje luftëtarëve që të lënë armët, por, atë muaj grupi shpalli vetëm armëpushim, deri në njoftimin e sotëm për shpërbërje.

(Kosova Sot Online)