
Ankohet Peci: Jemi duke i hy në hak Albulena Haxhiut pas dështimit të 18-të

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci thotë se janë duke bërë përpjekje për të zhbllokuar gjendjen aktuale, derisa thotë se “jemi duke i hy në hak Albulena Haxhiut”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ai thotë se si parti, janë duke kryer detyrimet ligjore dhe kushtetuese.
“Shprehim keqardhje që edhe sot nuk kemi rezultat në zhbllokimin e gjendjes. Ne në vazhdimësi jemi duke bërë përpjekje, po kryejmë detyrimet tona ligjore dhe kushtetuese”, tha Peci pas dështimit të 18-të të konstituimit të Kuvendit.
Peci konsideron se emri i Haxhiut nuk është problemi.
“Emri i Haxhiut nuk është problemi, jemi duke i hy në hak edhe si shoqëri duke e targetu dhe duke ia vendos barren e përgjegjësisë pse spo kemi Kuvend të konstituuar. I takon LVV-së për emrin që përcakton. Nuk mundet dikush një të drejtë që ta dhuru qytetari edhe gjykimi i Gjykatës Kushtetuese, që dikush nga partitë opozitare që janë humbës të mëdhenj të zgjedhjeve me ardhë me ta përcaktu se kush është emri”.
“Emri i Haxhiut nuk është shkaktar i bllokadës institucionale”, tha tutje.
(Kosova Sot Online)