
Merz shpërthen ndaj Izraelit: S’po e kuptoj më logjikën e sulmeve

Kancelari gjerman Friedrich Merz, ka kritikuar sërish veprimet ushtarake izraelite në Gaza, ku gjatë një vizite në Turku, Finlandë, ai ka thënë se është “i tronditur nga fati dhe vuajtjet e tmerrshme të popullsisë civile” atje, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Sipas DW, në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin finlandez Petteri Orpo, Merz ka theksuar se po i sheh me shqetësim zhvillimet atje.
Ndërsa, duke rikonfirmuar angazhimin e Gjermanisë për të drejtën e Izraelit për të ekzistuar dhe për t’u vetëmbrojtur, Merz ka thënë se “Gjermania e dënon terrorin e Hamasit pa asnjë rezervë”, megjithatë, ka shtuar se vendi është “më shumë se i shqetësuar për intensifikimin e aktiviteteve ushtarake të ushtrisë izraelite në Gaza”.
“Nuk po arrij të kuptoj më logjikën e këtyre sulmeve të mëdha ushtarake nga ushtria izraelite në Rripin e Gazës dhe se si këto veprime ndihmojnë në luftën kundër terrorizmit dhe në lirimin e pengjeve,” është shprehur Merz.
Raportohet se ai më tej ka thënë se, veprimet aktuale të Izraelit nuk i duken më si “të domosdoshme për mbrojtjen e të drejtës së Izraelit për të ekzistuar dhe për luftën kundër terrorizmit të Hamasit.
Veprimet izraelite në Gaza, janë kritikuar edhe nga kryeministri i Finlandës, Orpo, i cili i quajti si të “të papranueshme”, duke bërë thirrje për shtim urgjent të ndihmës humanitare për banorët e Gazës.
(Kosova Sot Online)