Vuçiq: Do të urdhëroj ndërprerjen e të gjitha kontratave për shitjen e armëve nga Serbia

  • A.P /
  • 30 May 2025 - 10:08
Vuçiq: Do të urdhëroj ndërprerjen e të gjitha kontratave për shitjen e armëve nga Serbia

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar më 29 maj se do të urdhërojë ndërprerjen e të gjitha kontratave për shitjen e armëve dhe municioneve për të cilat sipas tij, ekziston dyshim se mund të jenë keqpërdorur dhe të kenë përfunduar në frontin e luftës në Ukrainë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Deklarata e Vuçiqit vjen një ditë pasi Shërbimi i Jashtëm Informativ i Federatës Ruse (SVR) publikoi një njoftim ku e akuzon Serbinë se, pavarësisht deklaratave për neutralitet, po vazhdon fshehurazi të furnizojë Ukrainën me municion.

Vuçiq reagoi përmes një paraqitjeje në edicionin qendror të lajmeve të Radio Televizionit të Serbisë (RTS), ku pranoi se për këtë çështje kishte biseduar edhe me presidentin rus Vladimir Putin gjatë vizitës së tij në Moskë në fillim të majit. Ai theksoi se tashmë është themeluar një grup pune mes Serbisë dhe Rusisë për të shqyrtuar faktet në lidhje me akuzat e ngritura.

“Do të jap pa diskutim urdhër dhe paralajmërim që, kudo që ekziston dyshim për keqpërdorim të ‘end user’-it dhe dërgim të armatimit në frontin e luftës, kontratat të mos realizohen”, u shpreh Vuçiq, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ai përmendi edhe një rast konkret – kontratën e kompanisë shtetërore serbe “Jugoimport SDPR” me Republikën Çeke – duke theksuar se pavarësisht ekzistencës së marrëveshjes, lejet nuk janë lëshuar dhe asnjë raketë nuk është dorëzuar.

Përkundër akuzave, Vuçiq tha se disa pohime të bëra nga SVR nuk janë të vërteta, por ai nuk i mohoi plotësisht lidhjet indirekte me tregjet që potencialisht mund të çojnë municionin serb në Ukrainë.

(Kosova Sot Online)