Deputetja e LVV-së: Qe tri javë po presim përgjigjen e Kushtetueses

  • A.P /
  • 02 June 2025 - 12:00
Deputetja e LVV-së: Qe tri javë po presim përgjigjen e Kushtetueses

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu Hyseni theksoi se “janë bërë tri javë”, prej kur Gjykata Kushtetuese është pyetur lidhur me votimin e fshehtë, të propozuar nga LVV-ja për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ajo tha pas dështimit të sërishëm të seancës konstituive nuk beson se kanë vepruar “jashtligjshëm”.

“Ndërkohë që, më lejoni ta përmendi edhe një gjë shumë të rëndësishme: sot janë bërë tri javë që kur një grup i deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka dërguar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të interpretuar pikërisht çështjen e procedurës së votimit të fshehtë, ndërkohë që ne mbesim ende sot pa një përgjigje prej Gjykatës Kushtetuese për atë se si duhet të vazhdojnë tutje deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha Kryeziu Hyseni.

“Nuk besoj që kemi bërë një veprim të jashtligjshëm. Megjithatë ne po presim përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese për të na treguar se si do të vazhdojmë tutje”, tha ajo.

Pasi Albulena Haxhiu dështoi disa herë me radhë që t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare, LVV-ja po e hedh në votim çdo dy ditë propozimin për formimin e një komisioni për votim të fshehtë, i cili gjithashtu nuk po i merr votat e nevojshme. Sot, vetëm 51 deputetë votuan për këtë propozim.

Partitë tjera shqiptare argumentojnë se është shkelje ndërrimi i mënyrës së votimit në gjysmë të procesit.

Gjykata Kushtetuese po e shqyrton një pyetje që ka shkuar atje në lidhje me këtë çështje.

(Kosova Sot Online)