
Mesazhi i Tërnavës për Kurban Bajramin: Kjo festë është një akt që mishëron frymën e afërsisë me Zotin

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava, ka përcjellë një mesazh të fuqishëm dhe reflektues për besimtarët myslimanë dhe mbarë popullin shqiptar, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Në urimin e tij, ai vuri theksin jo vetëm në dimensionin fetar të kësaj feste, por edhe në simbolikën e sakrificës, solidaritetit dhe përkushtimit për lirinë dhe të ardhmen e vendit.
“Në këtë natë të madhe të Kurban Bajramit, zemrat dridhen nga madhështia e sakrificës dhe shpirti kërkon afërsi me Zotin”, u shpreh Myftiu, duke kujtuar shembullin profetik të Ibrahimit a.s. dhe gatishmërinë për flijim për hir të vullnetit hyjnor.
Në mesazhin e tij, Tërnava rikujtoi rëndësinë e kësaj feste si një akt adhurimi që forcon lidhjet me Zotin dhe ndihmon në ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të mëshirshme dhe të bashkuar. Ai vuri theksin edhe te simbolika shoqërore dhe kombëtare e Kurban Bajramit, duke e krahasuar sakrificën e profetit me historinë e popullit të Kosovës.
“Në këtë natë të bekuar, kujtojmë sakrificat e popullit tonë, që me gjakun dhe durimin e tij ndërtoi themelet e lirisë dhe dinjitetit. Bajrami është kujtesë për të kaluarën dhe përgjegjësi për të ardhmen,” tha Myftiu, duke përmendur me nderim dëshmorët, nënat që presin ende kthimin e eshtrave të bijve të tyre dhe të gjithë ata që sakrifikuan për një jetë me dinjitet.
Ai ftoi qytetarët që këtë festë ta jetojnë me besim, falje dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit, dhe të kujdesen për më të varfrit dhe të vetmuarit.
“Le t’i falim të tjerët ashtu siç dëshirojmë që Zoti të na falë neve,” përfundoi ai, duke uruar që kjo festë të sjellë paqe, mëshirë dhe begati për të gjithë.
(Kosova Sot Online)