Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale që u ndalua në Serbi del sot para Gjykatës

  • A.P /
  • 09 June 2025 - 08:20
Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale që u ndalua në Serbi del sot para Gjykatës

Ish-polici i Kosovës, Arbnor Spahiu, është ndaluar nga autoritetet serbe më 7 qershor 2025, rreth orës 09:00, në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë. MPJD ka thënë se Spahiu po udhëtonte me autobus së bashku me familjen, gjatë kthimit të tij nga Austria drejt Kosovës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai pritet të dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake sot në ora 09:00, në Gjykatën Komunale të Kikindës.

Spahiu po mbahet aktualisht në Qendrën e Paraburgimit në Kanjizha, në rajonin e Vojvodinës.

Arrestimin e tij e ka konfirmuar avokati Arianit Koci, sipas të cilit Spahiu është marrë në pyetje për rastin “Banjska”.

“Ky rast është serioz dhe nuk është i izoluar. Vetëm pak ditë më parë, një ish-polic tjetër – Aleksandar Vlajiq – e ka pranuar fajësinë se ka punuar për shërbimin sekret serb (BIA) dhe është dënuar për spiunazh. Me këtë është vërtetuar se BIA serbe ka vepruar brenda territorit të Kosovës dhe brenda strukturave të saj të sigurisë”, ka shkruar Koci në Facebook.

(Kosova Sot Online)