
Ky është 21 vjeçari që dyshohet se kreu sulmin në Graz

Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Grazit dje, kur një 21-vjeçar, i identifikuar si Artur A., ka kryer një masakër të përgjakshme në shkollën e mesme BORG. Arturi, i cili kishte qenë më parë nxënës i kësaj shkolle, hyri në ndërtesë i armatosur me një pistoletë dhe një armë gjahu, të cilat i kishte në pronësi në mënyrë të ligjshme, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Sipas autoriteteve, ai qëlloi në drejtim të nxënësve dhe mësuesve në dy klasa, duke lënë të vdekur gjithsej dhjetë persona – nëntë prej tyre ishin nxënës të moshës 14 deri 17 vjeç, ndërsa viktima e dhjetë ishte një mësues 58-vjeçar.
Pas aktit makabër, Artur A. u gjet i pajetë në një nga tualetet e shkollës, ku dyshohet se kreu vetëvrasje duke u mbyllur brenda pas përfundimit të sulmit.
Mediat austriake kanë publikuar fotografinë e tij, por ende nuk është bërë zyrtare shpallja e mbiemrit. Sipas burimeve jozyrtare, bëhet fjalë për Artur Avetisyan.
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me prejardhjen e tij: i ati i Arturit ishte me origjinë armene, ndërsa ai jetonte me nënën e tij, shtetase austriake. Edhe vetë Artur ishte shtetas i Austrisë dhe banonte në Kalsdorf, në afërsi të Grazit.
Ai kishte ndjekur më parë mësimet në shkollën ku ndodhi ngjarja tragjike, por nuk e kishte përfunduar arsimin. Më pas ishte regjistruar si i papunë në zyrën e punësimit.
Policia dhe autoritetet arsimore po vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivet që çuan në këtë akt të tmerrshëm.
(Kosova Sot Online)