Izraeli po pret të shohë nëse ShBA do ta ndihmojë ndaj Iranit

  • A.P /
  • 18 June 2025 - 08:00
Izraeli po pret të shohë nëse ShBA do ta ndihmojë ndaj Iranit

Izraeli është në pritje për të parë nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta ndihmojnë për ta sulmuar Iranin, 
transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Një zyrtar i lartë izraelit ka deklaruar për CNN se po e presin vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, përcjell Reporteri.net.

“Po presim vendimin e presidentit”, ka deklaruar ky zyrtar.

Zyrtarët amerikanë dhe izraelitë kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm lidhur me ecurinë e operacioneve ushtarake izraelite në Iran dhe mundësinë e përfshirjes së SHBA-së.

Megjithatë, dy zyrtarë izraelitë thanë se kryeministri Benjamin Netanyahu nuk po i kërkon drejtpërdrejt Trump-it që të miratojë sulme amerikane ndaj Fordow, objektit bërthamor iranian që ndodhet nën një mal.

Netanyahu, ashtu si zyrtarë të tjerë izraelitë, po shpreson që Trump ta marrë këtë vendim vetë – pa ndjerë se është shtyrë nga homologu izraelit.

“I gjithë operacioni bazohet në idenë se SHBA do të bashkohet në një moment,” ka deklaruar një zyrtar i tretë izraelit.

CBS raportoi duke u thirrur në burime se Trump po shqyrton mundësinë që t’i bashkohet Izraelit për të ndërmarrë sulme ndaj centraleve bërthamore iraniane, përfshirë edhe atë në Fordow.


(Kosova Sot Online)