Në komunën e Prishtinës nga sonte do të fillojë procesi i dezinsektimit hapësinor

  • A.P /
  • 18 June 2025 - 09:00
Në komunën e Prishtinës nga sonte do të fillojë procesi i dezinsektimit hapësinor

Sonte nis dezinsektimi hapësinor në Prishtinë, “luftë” kundër mizave dhe mushkonjave, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në komunën e Prishtinës nga sonte do të fillojë procesi i dezinsektimit hapësinor, bëri të ditur Drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku.

Ai tha se ky proces do të përfshijë zhdukjen e insekteve si mizat dhe mushkonjat që mund të bartin sëmundje ngjitëse, duke mbuluar rreth shtatë mijë hektarë në kryeqytet dhe zonat përreth.

“Pas përgatitjeve të realizuara, sot me 18 qershor fillon procesi i dezinsektimit hapësinor në kryeqytet. Është një proces, i cili bën zhdukjen e insekteve: mizave dhe mushkonjave, të cilat mund të jenë bartëse të sëmundjeve ngjitëse. Qëllimi është që të sjellim situatën në kufi epidemiologjikë me qëllim që të mos krijohen sëmundje të ndryshme, duke pasur parasysh që numri i insekteve gjatë periudhës së verës është shumë më i lartë.

Procesi zgjat në gjashtë faza, secila fazë është nga gjashtë ditë dhe janë të përfshira rreth shtatë mijë hektarë në kryeqytet dhe fshatrat përreth, ku bëhet dezinsektimi hapësinor. Një faktor shumë i rëndësishëm janë kushtet klimatike, pasi prania e reshjeve e pengon procesin për arsye se lagështia është një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e insekteve, ndërsa koha e nxehtë nuk është faktor i rëndësishëm”, tha Sadiku.

(Kosova Sot Online)