Mbyllet rinumërimi i votave në Tiranë, asnjë ndryshim në mandate

  • A.P /
  • 27 June 2025 - 15:50
Mbyllet rinumërimi i votave në Tiranë, asnjë ndryshim në mandate

Procesi i rinumërimit të votave në qarkun e Tiranës ka përfunduar sot pa sjellë asnjë ndryshim në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka konfirmuar se numërimi ishte transparent dhe demokratik, ndërsa ndryshimet në vota nuk ndikuan në shpërndarjen e mandateve, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Procesi nuk solli asnjë ndryshim në rezultat. Ka qenë korrekt dhe i mundimshëm për stafin e KQZ-së”, deklaroi anëtari i KAS, Koli Bele. Ndërsa Ledio Braho theksoi se nuk ka më akuza për trafikim votash, duke sqaruar se lëvizjet e votave janë rezultat i gabimeve njerëzore apo çështjeve teknike, dhe jo manipulimeve të qëllimshme.

Rezultati mbetet i pandryshuar:

Partia Socialiste: 19 mandate

Partia Demokratike: 13 mandate

Partia Mundësia: 2 mandate

PSD, Lëvizja Bashkë, dhe Nisma Shqipëria Bëhet: nga 1 mandat secila

Pavarësisht ndryshimeve të vogla në numrin e votave për disa subjekte politike, asnjë mandat nuk u prek. Ndryshimet më të ndjeshme ndodhën mes kandidateve të PS-së, Olta Xhaçka dhe Blerina Gjylameti, me një diferencë prej vetëm 70 votash.

Humbje votash sipas partive:

PD-ASHM: -612 vota

PS: -381 vota

Lëvizja Bashkë: -57 vota

Nisma Shqipëria Bëhet dhe Partia Mundësia: -44 vota secila

PSD: -34 vota

Përfitues të lehtë të votave:

Koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashës

Koalicioni Djathtas për Zhvillim i Enkelejd Alibeajt

Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare

(Kosova Sot Online)