
Hoti: Nuk pranojmë të ndërrohet votimi në mënyrë arbitrare

Avdullah Hoti, tha se shkeljet kushtetuese të, siç e quajti ai, kryesuesit të përkohshëm të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, po vazhdojnë edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ai tha se që shkeljet që po i bën ai “sigurisht janë të instruktuara nga partia e tij” dhe shtoi se nuk e pranojnë një ndërrim arbitrar të formës së votimit.
Rrjedhimisht, Hoti thotë se LDK-ja detyrohet që sot ta dërgojë sërish çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
“Ashtu siç kërkohet nga Kushtetuta, Rregullorja e Punës së Kuvendit dhe aktgjykimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese që lidhen me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, LDK-ja ka marrë pjesë në votim dhe ka votuar sa herë që grupi më i madh parlamentar e ka nxjerrë në votim kandidaten për Kryetare të Kuvendit. Kështu që ne e kemi respektuar obligimin tonë kushtetues për të marrë pjesë në votim”.
Ai tha se aktgjykimi i nxjerrë nga Kushtetuesja lidhur me ndërrimin e votimit “në mënyrë arbitrare dhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe praktikën parlamentare të deritanishme që lidhet me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit” e sqaron këtë pjesë, por se nuk e ka përfshirë në dispozitivin e aktgjykimit.
(Kosova Sot Online)