Kryemadhi flet për 240 mijë $ shpenzime në Las Vegas

  • A.P /
  • 07 July 2025 - 14:46
Kryemadhi flet për 240 mijë $ shpenzime në Las Vegas

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, deklaroi sot pas paraqitjes në SPAK se shpenzimet e përfolura prej 240 mijë dollarësh nuk janë të gjitha të sajat, por përfshijnë edhe pagesa të tjera nga karta e kushëririt të saj, Adrian Shatku, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Kam qenë edhe në Beverly Hills, Santa Monika, Las Vegas, me kushëririn tim Adrian Shatku, me tre fëmijët e mi, me kushërirën Bebe Rexha dhe disa mikesha të mia me fëmijët e tyre pranë“, u shpreh Kryemadhi.

Ajo sqaroi se bëhet fjalë për një udhëtim në vitin 2015 për 10-vjetorin e vajzës së saj dhe jo për shpenzime të kryera gjatë tre viteve siç pretendon SPAK.

“240 mijë dollarë është gjithë karta e Zotit Adrian Shatku, që është me hotele, bileta avioni, dreka, darka e akullore. Secili ka shpenzimet e veta“, tha Kryemadhi, duke shtuar se i ka kërkuar bankës amerikane faturat vetëm për shpenzimet që i përkasin asaj.

E pyetur për mundësinë e një ndëshkimi, Kryemadhi u shpreh: “Edhe nëse s’kam deklaruar, është një vepër e parashkruar. Ose dhe po të mos jetë, duhet të më gjobisë ILDKP-ja për atë shpenzim që është.”

Ish-kryetarja e LSI-së kritikoi edhe ish-bashkëshortin Ilir Meta për qëndrimin e tij ndaj këtij rasti, duke thënë: “Më vjen keq që babai i fëmijëve të mi vazhdon dhe ripërsërit deklaratat e Altin Dumanit e të tjerëve.”

Në fund, Kryemadhi doli në mbrojtje të kushëririt të saj Shatku: “Shatku s’ka të bëjë me buxhetin e shtetit, me tendera apo përfitime nga qeveria shqiptare. Ai është kompani amerikane që punon në 56 vende të botës.”

(Kosova Sot Online)