Avokati i Popullit ka nisur hetimet lidhur me forcën e ushtruar nga ana e zyrtarëve policorë

  • A.P /
  • 08 July 2025 - 14:50
Avokati i Popullit ka nisur hetimet lidhur me forcën e ushtruar nga ana e zyrtarëve policorë

Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur hetimet lidhur me forcën e ushtruar nga ana e zyrtarëve policorë në dy raste në Klinë dhe Lipjan. Në këtë të fundit, ka humbur jetën qytetari Agon Zejnullahu pas arrestimit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Avokati i Popullit ka hapur procedurë hetimore sipas detyrës zyrtare për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut në këto raste, si dhe për të monitoruar veprimet e institucioneve përgjegjëse, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës”, njofton IAP.

I riu në Lipjan vdiq në orët e para të së hënës (7 korrik) pasi u arrestua nga policia nën dyshimin se në gjendje të dehur po sulmonte automjete e kalimtarë. Lidhur me rastin, pesë zyrtarë policorë janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për “Vrasje nga pakujdesia”, ndërkaq Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tyre.

Sipas Avokatit të Popullit, ushtrimi i forcës nga ana e zyrtarëve policorë përtej asaj të domosdoshme, përbën shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut.

“Me këtë rast, Avokati i Popullit rikujton se policia ka për detyrë mbrojtjen e qytetarëve dhe ruajtjen e rendit publik, por gjithmonë në përputhje me ligjin dhe me respekt të plotë për dinjitetin njerëzor. Çdo tejkalim i autorizimeve ligjore dhe çdo formë e dhunës apo keqtrajtimit janë të papranueshme dhe duhet të trajtohen me përgjegjësi të plotë”, thuhet në komunikatë.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka kërkuar transparencë të plotë nga institucionet kompetente lidhur me hetimin e të dyja rasteve.

Komunikata e plotë:

Institucioni i Avokatit të Popullit ka ndjekur me shqetësim rastet e raportuara ku zyrtarë të Policisë së Kosovës dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve në dy raste të ndara – njëri rast i ndodhur në Klinë dhe rasti tjetër së fundmi në Lipjan, ku për pasojë humb jetën një qytetar.

Ushtrimi i forcës përtej asaj të domosdoshme përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut, të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Me këtë rast, Avokati i Popullit rikujton se policia ka për detyrë mbrojtjen e qytetarëve dhe ruajtjen e rendit publik, por gjithmonë në përputhje me ligjin dhe me respekt të plotë për dinjitetin njerëzor. Çdo tejkalim i autorizimeve ligjore dhe çdo formë e dhunës apo keqtrajtimit janë të papranueshme dhe duhet të trajtohen me përgjegjësi të plotë.

Avokati i Popullit ka hapur procedurë hetimore sipas detyrës zyrtare për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut në këto raste, si dhe për të monitoruar veprimet e institucioneve përgjegjëse, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.

Institucioni i Avokatit të Popullit kërkon transparencë të plotë nga institucionet kompetente lidhur me hetimin e rasteve. Po ashtu është e rëndësishme të theksohet rëndësia e zbatimit të standardeve profesionale në çdo ndërhyrje policore dhe domosdoshmërinë e trajnimeve të vazhdueshme për zyrtarët e rendit.

Avokati i Popullit do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet rreth këtyre rasteve dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve.

(Kosova Sot Online)