
Erdogan ka reaguar pas dorëzimit të armëve nga një grup militantësh

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka reaguar pas dorëzimit të armëve nga një grup militantësh të PKK-së në Irakun Verior, duke shprehur shpresën se hapat e ndërmarrë për ndërtimin e një Turqie pa terrorizëm “do të sjellin rezultate pozitive”, Përmes një postimi në platformën X, kreu i shtetit turk ka uruar: “Sukses nga Zoti në rrugën për të garantuar sigurinë e kombit tonë, paqen e popullit tonë dhe vendosjen e paqes së qëndrueshme në rajonin tonë.”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Sipas autoriteteve turke, 30 pjesëtarë të organizatës PKK, mes tyre 15 gra, kanë dorëzuar vullnetarisht armët në provincën Sulaymaniyah të Irakut Verior, ku më pas i kanë shkatërruar ato duke i djegur në një kazan të madh.
Ky zhvillim pason njoftimin e muajit maj, kur PKK-ja bëri të ditur shpërbërjen dhe dorëzimin e armëve, ndërsa më herët – në shkurt – udhëheqësi i burgosur i grupit, Abdullah Oçalan, kishte bërë thirrje për t’i dhënë fund aktivitetit të armatosur që ka zgjatur për më shumë se katër dekada.
Organizata PKK është shpallur si terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Ajo konsiderohet përgjegjëse për vdekjen e mbi 40.000 personave gjatë fushatës së saj shumëvjeçare, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar.
(Kosova Sot Online)