
Moisiu: Albin Kurti disa gjëra nuk i ka në terezi

Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka komentuar zhvillimet politike në Kosovë dhe raportet mes kryeministrit Albin Kurti dhe ShBA-së, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Moisiu tha se e njeh Kurtin prej kohësh dhe e vlerëson si person, por theksoi se jo të gjitha veprimet e tij janë të mirëpeshuara.
“Kryeministrin e Kosovës e njoh prej kohësh dhe kam respekt për atë djalë, por ai disa gjëra nuk i ka në terezi. Ja kam thënë,” u shpreh Moisiu.
Ai vuri në pah rolin vendimtar që kanë pasur Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krijimin e shtetit të Kosovës dhe u bëri thirrje politikanëve në Prishtinë të mos rrezikojnë këtë aleancë jetike.
“Sikur të bashkoheshin të gjithë shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës, sërish nuk e bënim dot Kosovën po të mos ishte Amerika. Të mos bëjmë disa gjëra tani që bien ndesh,” tha ai.
Moisiu pranoi se edhe partnerët ndërkombëtarë mund të gabojnë në vendimmarrje, por kërkoi qasje më të mençur dhe jo konfrontuese ndaj tyre.
“Unë nuk mund të them se ata nuk marrin vendime të gabuara, edhe ata gabojnë se njerëz janë, por duhet të gjesh mënyrën sesi t’i trajtosh. Jo të përplasemi tani,” përfundoi ai.
(Kosova Sot Online)