
Osmani për katastrofën në Gaza: Fëmijët janë ata që vuajnë më shumë pasojat

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me katastrofën humanitare në Gaza, duke theksuar vuajtjet e mëdha që po përjetojnë civilët e pafajshëm, veçanërisht fëmijët, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Fëmijët nuk i nisin kurrë luftërat! Por janë pikërisht ata që vuajnë më shumë dhe bartin pasojat më të rënda të çdo konflikti,” deklaroi Osmani në një postim të publikuar në rrjetet sociale.
Ajo e cilësoi situatën në Gaza si “zemërthyese” dhe bëri thirrje që kjo gjendje të marrë fund sa më parë. “Çdo fëmijë, çdo familje, pavarësisht kombësisë apo fesë, është e çmuar dhe duhet të mbrohet,” theksoi Presidentja.
Osmani shprehu përkrahjen e plotë të Kosovës për përpjekjet për armëpushim të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Katari dhe Egjipti, përfshirë edhe angazhimet për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve.
Ajo theksoi gjithashtu nevojën urgjente për sigurimin e qasjes në ushqim, ujë dhe ilaçe për më të prekurit nga lufta, në mënyrë që të lehtësohet sado pak vuajtja e njerëzve të pafajshëm.
“Kosova vazhdon të mbështesë përpjekjet ndërkombëtare për një të ardhme të drejtë, të qëndrueshme dhe paqësore, ku izraelitët dhe palestinezët të jetojnë në dinjitet, siguri dhe respekt të ndërsjellë, me një angazhim të përbashkët për mbrojtjen e jetës njerëzore,” thuhet në deklaratë.
Në përmbyllje, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e ndërmarrjes së çdo mase për të parandaluar humbjen e mëtejshme të jetëve të pafajshme dhe për të lehtësuar vuajtjen e të gjithë njerëzve të prekur nga konflikti.
(Kosova Sot Online)