Kryediplomati gjerman: Procesi drejt njohjes së shtetit palestinez duhet të fillojë

  • A.P /
  • 31 July 2025 - 13:23
Kryediplomati gjerman: Procesi drejt njohjes së shtetit palestinez duhet të fillojë

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, thotë se procesi drejt njohjes së një shteti palestinez “duhet të fillojë tani”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Por, shtoi ai,  “për Gjermaninë, njohja e një shteti palestinez ka më shumë të ngjarë të jetë fundi i procesit”.

Ai thotë se një zgjidhje e negociuar me dy shtete mbetet “e vetmja mënyrë për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme” të konfliktit, duke u mundësuar njerëzve nga të dyja palët të jetojnë në paqe, siguri dhe dinjitet.

Deklarata u dha përpara vizitës së Wadephul në Izrael dhe territoret palestineze.

Disa shtete kanë njoftuar të mërkurën se po shqyrtojnë mundësinë e njohjes zyrtare të një shteti palestinez përpara mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator, në New York.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar nga ministrat e jashtëm të këtyre vendeve, thuhet se njohja e shtetit palestinez shihet si një hap thelbësor drejt zgjidhjes me dy shtete. Ministrat kanë ftuar edhe vende të tjera t’u bashkohen këtij angazhimi.

Deklarata është nënshkruar nga ministrat e jashtëm të Australisë, Kanadasë, Finlandës, Zelandës së Re, Portugalisë, Andorrës dhe San Marinos vende që ende nuk e kanë njohur zyrtarisht shtetin palestinez. Në të njëjtën deklaratë janë përfshirë edhe vende që tashmë e kanë njohur Palestinën, si Islanda, Irlanda dhe Spanja.

(Kosova Sot Online)