Nga Londra erdhi me katër orë dore në vlerë mbi 45 mijë euro por i konfiskohen në aeroport

  • A.P /
  • 01 August 2025 - 11:25
Nga Londra erdhi me katër orë dore në vlerë mbi 45 mijë euro por i konfiskohen në aeroport

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se të enjten rreth orës 10:30, në pikëkalimin kufitar – Aeroporti “Adem Jashari”, gjatë arritjes së fluturimit nga Londra është selektuar për kontroll një udhëtar i cili kishte zgjedhur të kalojë përmes kanalit të gjelbër (i dedikuar për ata që nuk kanë mallra për të deklaruar), transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se pas kontrollit të realizuar mbi bazën e analizës së rrezikut dhe imazheve nga skaneri, në bagazhin e udhëtarit janë zbuluar mallra me vlerë të konsiderueshme që nuk ishin deklaruar siç kërkohet me ligj.

“Mallrat e zbuluara përfshijnë: 4 copë orë dore me vlera totale të mallrave mbi 45 mijë euro. Mallrat janë konfiskuar dhe ka filluar procedura kundërvajtëse”, thuhet në postim.

Tutje në postim bëhet e ditur se Dogana e Kosovës rikujton të gjithë udhëtarët se të gjithë mallrat me vlerë që kalojnë kufirin duhet të deklarohen sipas dispozitave ligjore në fuqi.

“Mosdeklarimi i tyre përbën shkelje dhe mund të rezultojë me masa ndëshkuese, përfshirë konfiskimin e mallrave dhe gjobitje. Dogana mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, mbrojtjen e ekonomisë dhe sigurimin e transparencës në të gjitha proceset kufitare”, thuhet në postim.


(Kosova Sot Online)