Berisha: Diktatura autoritare e Edi Ramës përdori 1 miliardë e 24 milionë euro

  • A.P /
  • 01 August 2025 - 12:44
Berisha: Diktatura autoritare e Edi Ramës përdori 1 miliardë e 24 milionë euro

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp deklaroi se zgjedhjet e 11 majit përfaqësojnë një farsë të orkestruar nga një regjim autoritar, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, Edi Rama përdori 1 miliardë e 24 milionë euro për të manipuluar procesin zgjedhor dhe për të blerë votën e qytetarëve. Berisha theksoi se këto zgjedhje ishin tërësisht të pabarabarta dhe të vdekura që në lindje. Ai e përshkroi regjimin aktual si një diktaturë e mbështetur mbi krimin dhe drogën, që shkatërron çdo normë demokratike në vend.

Fjala e tij:

Edhe njëherë. Partia Demokratike për këtë periudhë po merret me ndriçimin e të vërtetës të farsës elektorale të 11 majit 2025 dhe mendoj se, ka arritur të grumbullojë dokumente zyrtare të pakundërshtueshme që faktojnë shkatërrimin e këtij procesi në çdo qelizë. 

Të kuptohemi, diktaturat janë dy lloje; 
janë diktatura totalitare të cilat nuk lejojnë konkurrencën. 
janë diktatura autoritare që puthadorët e qeverisë i quajnë tani, liberale.
Diktaturat autoritare lejojnë konkurrencën, por e bëjnë fiktive garën. E bëjnë të pabarabartë. 
Rasti konkret, në Shqipëri në zgjedhjet e 2021, Edi Rama përdori 130 mln euro para buxheti, që disbursoi për familjet e prekura nga tërmeti. I disbursoi në rrethet, Tiranë, Lezhë, Durrës dhe Kurbin. Tani nëqoftëse në 2021 u disbursuan nga buxheti për të blerë vota 130 mln euro dhe kjo ishte asgjësimi i votës, i procesit zgjedhor, si proces i rregullt, pra ishte farsë, në këto zgjedhje diktatori, apo diktatura autoritare përdori 1 miliardë e 24 milionë euro. 
Cilat janë? 
500 mln në kundërshtim me ligjin në prokurorime publike. 
244 mln në kundërshtim me ligjin interesa bankare dhe grante për fermerët. 
200 e ca milionë gjoba dhe kamata të falura të 10 viteve të fundit. 
76 mln çdo pensionist 100 euro.
Pra vetëm me këto, pa llogaritur dhe 100 mln rrënjë kanabis, që nuk mbillen dot. Të them unë, 100 mln nuk i mbjell dot.
Pa llogaritur, ju i patë, qindra mijëra kate ndërtime nga kartelët e drogës dhe të tjerë, lejet e ndërtimit, lejet e legalizimit, certifikatat e pronësisë.
Pa llogaritur dhjetëra mijëra të punësuar të përkohshëm. 
Pra kemi të bëjmë me një proces zgjedhor të vdekur. Nuk është totalitar, sepse e lejon garën, por e vdes në fushë garën. Ky është problemi.
Nuk ka ideologjinë komuniste, as naziste, as doktrina fetare në bazë, ka drogën dhe fuqinë e saj të tmerrshme. Ka drogën.
Se shiko, është ndryshe diktaturë autoritare e një elite që bën gjithçka për të qëndruar në pushtet, është krejt tjetër diktatura autoritare e bazuar në krimin dhe drogën.
Droga të bën ministër, droga të bën ambasador, droga të bën kryegjykatës, të bën kryeprokuror.
Droga të emëron drejtor të Përgjithshëm policie. 
Droga të eliminon kur i shkel në kallo.
Është vendimmarrësi më i fuqishëm. Ndaj me dhjetëra e dhjetëra media të huaja e kanë quajtur narkoshtet.
Droga bën që prokurori special të mbajë në xhep mandatin e klanit Troplini dhe presin pastaj të merret... Në asnjë mënyrë, ai e ka mburojë, ai e din që do zëvendësonte Troplinin në çdo variant, ai që do të mbante në xhep mandatin dhe nuk do arrestonte.
Po, po. Edhe tani ai Elvis Doçi në shtëpi është, bashkë me Altin Hajrin. 
Tani në Shqipëri e thërrasin masivisht Altin Troplini. 
Po don të fusë ligjin tani që ta mbrojë, të dënojë gazetarët që të mos flasin dot kundër tij dhe Irena Gjokës.
Kjo është çmenduri.
Pasi bëri fushatë 1 vjeçare për të ndryshuar kushtetutën se po më mbaron mandati dhe si të ja bëj. Duhet të ndryshonim kushtetutën për mandatin e tij, e kuptoni apo jo gjer ku shkon mendja e prokurorit të karteleve. 
Keni parë ju të dënohet qoftë dhe një njeri i vetëm jashtë dokumenteve të ardhura nga jashtë? Edhe ato i fut në turshi.
Ky shtet po të mos ishin milionë faqe e dokumente të ardhura nga jashtë, këtu nuk arrestohet kush për drogën.
Pse nuk kapet 1 kg drogë në Portin e Durrësit? Sepse ka në dorë droga.
Ndaj dhe kjo diktatura liberale e avokatit të narkoshtetit, kjo është një diktaturë e pudrosur me një pluhur toksik që po shkatërron Shqipërinë, po largon shqiptarët nga Shqipëria.

(Kosova Sot Online)