
Geci: Më të fortë po dalin komunistët e Jugosllavisë sesa këta komunistët e Enver Hoxhës PDK dhe LVV

Pas publikimit nga kryeministri Albin Kurti të pamjeve të punimeve në kanalin e Ibër-Lepencit, ku ai theksoi rëndësinë e “investimeve jetike për infrastrukturën kritike”, ka reaguar ish-deputeti nga Drenica, Gani Geci, me një mesazh thumbues në rrjetet sociale, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Kryeministri Kurti kishte shkruar: “Investime jetike për infrastrukturën tonë kritike. Kanali i Ibër Lepencit po bëhet më i qëndrueshëm dhe më i sigurtë.”
Por Geci, në një krahasim të drejtpërdrejtë historik e politik, u shpreh: “Më të fortë po dalin komunistët e Jugosllavisë që e kanë bërë kanalin e Ibër-Lepencit, sesa këta komunistët e Enver Hoxhës PDK dhe LVV.”
Ai kritikoi ashpër dy partitë kryesore për politikat ekonomike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare:
“Njëra parti PDK ia ka dhënë shpërndarjen e rrymës dhe aeroportin e Prishtinës Turqve. Tjetra LVV e ka lanë Amerikën me investu në energji dhe qindra milionë euro i dërgon në Serbi për blerjen e rrymës, e këtu na shesin patriotizëm verbal tu rrejshem.”
Derisa mesazhin e përmbylli me një fjali: “Kape njërën e mshaj tjetrës!”

(Kosova Sot Online)