600 ish-zyrtarë izraelitë i bëjnë thirrje Trump-it për t’i dhënë fund luftës në Gaza

  • A.P /
  • 04 August 2025 - 12:35
600 ish-zyrtarë izraelitë i bëjnë thirrje Trump-it për t’i dhënë fund luftës në Gaza

Një grup prej rreth 600 ish-zyrtarësh të sigurisë izraelite, përfshirë ish-drejtorë të agjencive të inteligjencës, i kanë dërguar një letër presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke i kërkuar të ushtrojë presion ndaj Izraelit për të përfunduar menjëherë luftën në Gaza, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Sipas gjykimit tonë profesional, Hamasi nuk përbën më një kërcënim strategjik për Izraelin,” shkruhet në letrën e ish-zyrtarëve, raporton BBC.

“Besueshmëria juaj te shumica dërrmuese e izraelitëve e forcon aftësinë tuaj për të drejtuar kryeministrin Netanyahu dhe qeverinë e tij në drejtimin e duhur: përfundoni luftën, ktheni pengjet, ndaloni vuajtjet,” thuhet tutje në letrën e tyre.

Apeli i tyre vjen në një kohë kur raportohet se Netanyahu po shtyn për zgjerimin e operacioneve ushtarake në Gaza, ndërkohë që bisedimet e tërthorta për armëpushim me Hamasin kanë ngecur.

Kujtojmë se Izraeli nisi një luftë shkatërrimtare në Gaza pas sulmit të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, ku rreth 1,200 persona u vranë dhe 251 u morën peng e u dërguan në Gaza. Ndërsa, që nga ajo kohë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, mbi 60,000 njerëz janë vrarë nga fushata ushtarake izraelite në Gaza.

(Kosova Sot Online)