
Sveçla: Në radhët e Policisë së Kosovës nuk ka vend për kriminelë

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka përgëzuar Inspektoratin Policor të Kosovës për aksionin e së hënës, ku në mesin e të arrestuarve ishte edhe ish-drejtori rajonal i Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Sveçla ka shkruar se nuk ka vend për kriminelë në radhët e Policisë së Kosovës.
“Përgëzoj Inspektoratin Policor të Kosovës për aksionin e djeshëm, ku u arrestuan katër qytetarë, ndër ta edhe një zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës. Krimi nuk ka vend në shoqërinë tonë, e posaçërisht nuk ka vend për kriminelë në radhët e Policisë. Mbështes dhe njëkohësisht insistoj në veprime edhe më të vendosura të Inspektoratit, që radhët e Policisë të pastrohen nga elementë të tillë që njollosin emrin e institucionit më kredibil dhe me besueshmërinë më të madhe në vend”, ka deklaruar ai.
Sveçla shtoi tutje se, Policia e Kosovës duhet të jetë adresë e luftimit të krimit dhe asnjëherë dhe ne asnjë rrethanë çerdhe banimi e mburojë e veprimtarive kriminale.
Nexhmi Krasniqi, ish-Drejtor Rajonal i Policisë së Kosovës për Prizren, bashkë me tre persona të tjerë që u arrestuan ditën e djeshme, dyshohen për detyrim dhe shmangie nga tatimi.
Arrestimin e tij e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë së Prizrenit, Petrit Kryeziu.
“Konfirmoj arrestimin e Drejtorit Rajonal të Policisë Kufitare Regjioni Perëndimi, kolonel Nexhmi Krasniqi”, ka deklaruar Kryeziu për media.
Krasniqi kishte qenë Drejtor Rajonal i Policisë në Prizren, nga e cila pozitë ishte suspenduar në vitin 2015. Ai ishte kthyer në punë pas një viti, e qysh ditën e parë të kthimit në punë i ishte ndërruar pozita. Ai ishte transferuar në Gjakovë, në detyrën e shefit të operativës.
Më pas i njëjti ishte emëruar Drejtor i Policisë Kufitare.
Inspektorati Policor i Kosovës kishte hapur rast ndaj Krasniqit në vitin 2020, pasi ishte fotografuar me një person, i cili në vitin 2015 është arrestuar e më pas është dënuar me 20 muaj burgim pasi i njëjti ishte kapur në pikën kufitare në Vërmicë me drogë.
IPK kishte rekomanduar suspendimin e tij edhe në janar të këtij viti, për shkak se i njëjti kishte marrë pjesë në një aktivitet politik. Ai ishte parë në një takim të thirrur nga kandidatë për deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës.
Arrestimi i Krasniqit dhe të tjerëve është bërë pas disa bastisjesh që janë kryer.
(Kosova Sot Online)