Këto shtete ndajnë 420 milionë euro për armët e Ukrainës

  • A.P /
  • 05 August 2025 - 14:23
Këto shtete ndajnë 420 milionë euro për armët e Ukrainës

Përmes mekanizmit të ri të SHBA-NATO të quajtur Lista e Kërkesave Prioritare për Ukrainën (Prioritised Ukraine Requirement List), Norvegjia, Suedia dhe Danimarka sapo kanë njoftuar planet për të financuar së bashku një paketë ndihme për Ukrainën, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas The Guardian, paketa, e cila vlerësohet të jetë me vlerë rreth 420 milionë euro gjithsej, do të përfshijë mbështetje për “mbrojtjen ajrore të Ukrainës, municione dhe pajisje të tjera thelbësore.”

Bëhet e ditur se Suedia do të japë kontributin më të madh, me mbi 220 milionë euro, e ndjekur nga Norvegjia me rreth 120 milionë euro dhe Danimarka me rreth 80 milionë euro.

Duke folur për paketën, ministri norvegjez i mbrojtjes, Tore O. Sandvik, është shprehur se kjo paketë e re synon të sigurojë që Ukraina “të marrë sa më shpejt pajisjet që i nevojiten” për t’u mbrojtur nga Rusia.

Njëkohësisht, ministrat suedezë kanë paraqitur përmbajtjen e marrëveshjes në një konferencë shtypi në Stokholm.

Në fjalën e saj hyrëse, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e energjisë dhe industrisë, Ebba Busch, ka theksuar se “kauza e Ukrainës është edhe e jona”, ndërsa ka nënvizuar nevojën për të vazhduar mbështetjen ndaj Ukrainës përballë sulmeve të vazhdueshme ruse, raporton The Guardian.

Kujtojmë se kjo është paketa e dytë e këtij lloji, pasi më herët Holanda njoftoi planet e saj për të shpenzuar rreth 500 milionë euro për blerje armësh amerikane për Ukrainën nën të njëjtën skemë.


(Kosova Sot Online)