
Për seanca pa asnjë rezultat deputetët u paguan mbi 530 mijë euro

Sipas statistikave, mbi 530 mijë euro u paguan për tre muaj, për deputetët e legjislaturës së nëntë, që u mblodhën për pak minuta në 54 seanca ku dështuan ta konstituojnë Kuvendin, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Vetëm për muajin qershor, shteti pagoi rreth 77 mijë euro për asistentët e tyre. Monitorues të punës së Kuvendit thonë se edhe pse e ligjshme kjo nuk ishte aspak etike.
Ndonëse Gjykata Kushtetuese i ka vënë masë ndalese deri me 8 gusht çdo vendimi e veprimi të deputetëve, ata vazhdojnë të paguhen sipas Ligjit të Pagave. Për 54 tentimet për konstituim ata morën paga të plota që i kushtuan kuletës së shtetit më shumë se gjysmë milioni euro.
Përveç kësaj vetëm për një muaj asistentët e këtyre deputetëve u paguan 77 mijë euro.
Administrata e Kuvendit i ka konfirmuar Radio Kosovës se pagesat e korrikut dhe javës së parë të gushtit nuk janë përfshirë në shpenzimet për paga e asistentëve dhe të deputetëve.
Sipas të dhënave të siguruara për pagat e 120 ligjvënësit që dolën nga zgjedhjet e 9 shkurtit, për muajin prill u ndan 95 mijë e 633.93 euro, për maj 234 mijë e 998.98 euro, ndërsa për qershor 199 mijë e 907.67 €.
(Kosova Sot Online)