Osmani për të dyshuarin për vrasjet në Gjilan: S’e di veprimtarinë e tyre, të arrestohen

  • A.P /
  • 11 August 2025 - 07:50
Osmani për të dyshuarin për vrasjet në Gjilan: S’e di veprimtarinë e tyre,  të arrestohen

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje që të kapen sa më shpejtë autorët e tri vrasjeve në Gjilan, duke shtuar se “është për keqardhje që vitin e kaluar të njëjtit ishin lënë të lirë nga institucionet e drejtësisë, pas një kohe të shkurtër të kaluar në paraburgim, përkundër veprave të rënda për të cilat akuzoheshin”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ajo është deklaruar për fotografinë që iu publikua në media me Mefail Shkodrën, i dyshuar për rastin e vrasjeve sot në Gjilan.

Ajo thotë se “nga një hulumtim i thjeshtë del se këto fotografi janë bërë gjatë një organizimi festiv të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kosovë, me rastin e një aktiviteti publik ku morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë institucionalë, personalitete nga politika, të ftuar të tjerë dhe qytetarë”.

“Brenda vitit, Presidentja del në fotografi me mijëra qytetarë e pjesëmarrës në aktivitete publike, të cilët as nuk i njeh e as nuk mund ta dijë se cila është veprimtaria e tyre. Prandaj, aludimet për kinse “shoqërim” janë asgjë tjetër pos shpifje”, thotë Osmani.


(Kosova Sot Online)