
Humolli: VV ka humbur shumë mbështetje tek qytetarët

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Fatmit Humolli në një deklaratë të fundit, ka theksuar se partia duhet të respektojë vendimet e Gjykatës dhe të mos veprojë me papërgjegjshmëri, duke vënë interesat e partisë përpara shtetit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Sipas tij, VV ka humbur shumë mbështetje tek qytetarët për shkak të politikave që e kanë vendosur partinë para shtetit. Ai theksoi se, edhe pse VV ka qenë pjesë e qeverisë, ka mësuar se shteti funksionon pavarësisht ndryshimeve të politikës dhe grupeve që mundohen të paraqiten si viktima.
Ai nënvizon se “këto lojëra politike tashmë kanë kaluar në histori.”
“Vetëvendosje besoj se do të donte të ekzistonte si subjekt politik edhe në të ardhmen. Tani e ka kuptuar ose është duke e kuptuar se shteti ka mekanizma që nuk e lejojnë individin as partinë politike të sillet me papërgjegjshmëri të skajshme. VV ka humbur mjaftë pikë tek qytetarët duke e vendosur partinë para shtetit”, tha ai.
“Vendimet e Gjykatës besoj se do të respektohen dhe nuk do të bëhet asnjë përpjekje për të aktivizuar mekanizma të tjerë të drejtësisë. Këtë po e them për arsye se VV ka qenë në qeveri dhe e di se shteti funksionon pavarësisht tekeve, paqartësive të individëve, grupeve apo lojërave politike me të cilat këta mundohen të paraqiten si viktima, dhe kjo, besoj, ka kaluar në histori”, shtoi ai.
Ish-deputeti i VV-së është i bindur se vendimet e Gjykatës, si dhe ato që kanë të bëjnë me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duhet të respektohen. Ai gjithashtu ka shtuar se është e qartë për të gjithë se Kushtetuta e Kosovës është hartuar për të siguruar stabilitet dhe respektimin e rregullave të përcaktuara.
Ai tha se, “Një vendim i Gjykatës për propozimin e kryetarit të Kuvendit është i pranueshëm, ndërsa çdo përpjekje për të shmangur rregullat është e papranueshme.” Po ashtu, ai paralajmëroi se, nëse Vetëvendosje nuk e respekton këtë vendim, partia do të dëmtojë vetëm veten e saj, pasi dëmi për qytetarët tashmë ka ndodhur.
“Një vendim i Gjykatës për propozimin e kryetarit të Kuvendit është i pranueshëm, ndërsa vendimi tjetër për të zbatuar rregullat është i papranueshëm dhe kjo besoj se është e qartë për çdo individ, sepse ekspertët e kanë pasur të qartë kur kanë hartuar Kushtetutën.Pra, duhet të respektohet sepse është i njëjti institucion që ka marrë vendimin që Kryetari i Kuvendit i takon partisë së parë, gjë të cilën VV e pranon. Nëse VV nuk e respekton vendimin e këtij institucioni, besoj se do të dëmtojë vetëm VV-në, sepse dëmi për qytetarët tashmë është bërë”, tha Humolli.
(Kosova Sot Online)