
Në Preshevë e Bujanoc po ndodh një spastrim i pastër etnik

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Nevzad Lutfiu, është shprehur i shqetësuar për pasivizimin e adresave të shqiptarëve, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Luftiu ka thënë se gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti janë pasivizuar 200 adresa në Preshevë e Bujanoc.
Sipas tij, ky është një spastrim i pastër etnik që po u bëhet shqiptarëve.
“Më datë 04.08.2025 i kërkova qasje në informacione stacioneve policore në Bujanoc dhe Preshevë, me pyetjen: Sa adresa janë pasivizuar në këto dy komuna, nga janari deri në korrik 2025? Përgjigjen me shkrim e mora dje: gjatë periudhës së lartpërmendur, në Komunën e Preshevës janë pasivizuar 174 adresa, ndërsa në Komunën e Bujanocit 26 adresa. Dyshoj se të dhënat për Komunën e Bujanocit janë të sakta (jam në pritje të një përgjigjeje tjetër për ta vërtetuar). Sidoqoftë, në total, brenda 7 muajve, në këto dy komuna me shumicë shqiptare janë pasivizuar 200 adresa. Ajo që po ndodh është racizëm, një spastrim i pastër etnik. U bëj thirrje të gjithë akterëve politikë shqiptarë që të mblidhen për t’u koordinuar dhe për të bashkëvepruar”, thuhet në reagimin e tij.
(Kosova Sot Online)