Bajrami: Qytetarët po paguajnë për mafinë energjetike

  • A.P /
  • 16 August 2025 - 13:43
 Bajrami: Qytetarët po paguajnë për mafinë energjetike

Sot, KEDS ka njoftuar se ka nisur shkyçjet masive të bizneseve që s’kanë dalë në treg të lirë, sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, dhe se nga KEDS u tha se sot kanë nisur shkyçjen e rreth 450 bizneseve, dhe që janë identifikuar mbi 1400 njehsorë elektrikë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Lidhur me këtë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur konferencë për media, kur deputetja Hykmete Bajrami ka adresuar kritika në drejtim të kryeministrit në detyrë Albin Kurti.

Ajo ka thënë se sot po merr formë politika ‘’shkatërruese’’ e Kurtit, duke shtuar se ky i fundit, ka instaluar ‘’të dëgjueshmit’’ e tij në ZRRE por edhe në institucione të tjera.

‘‘Për të kundërshtuar dhe shprehur shqetësimin tonë lidhur me shkyçjen e mbi 1300 bizneseve. Sot përfundimisht po merr formë politika shkatërruese e Albin Kurtit. Ka instaluar të dëgjueshmit e tij në ZRRE dhe në çdo institucion tjetër. Sot shkyçja e dhunshme është persekutim. I bëjmë thirrje prokurorisë speciale që të merret me institucionet siç janë ZRRE dhe të tjera’’, ka thënë ajo.

Bajrami ka thënë edhe se qytetarët po paguajnë për mafinë energjetike, dhe se qytetarët do të përballen me një valë të re të inflacionit.

‘‘Qytetarët duhet ta dinë që po paguajnë për mafinë energjetike. Faturat për ekonomi familjare ka kohë që janë dyfishuar. Qytetarët duhet të dinë që me këto politika do të vjen një valë e re e inflacionit. Kjo politikë, disa biznese do ti mbyllë në tërësi, disa do të largohen për në vendet fqinje’’, ka thënë ajo.