
Pasi goditi me çekiç në kokë 25-vjeçarin, arrestohet një person

Në prangat e policisë ka rënë një 73-vjeçar me iniciale L. K. pasi më datë 15.08.2025, në lagjen “10 Korriku” Vlorë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur në kokë me send të fortë (çekan gome) shtetasin A. H., 25 vjeç, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Gjithashtu sipas njoftimit të policisë, pasi më datë 14.08.2025, në lagjen “Partizani”, është gjetur pa shenja jete, dyshohet për shkaqe natyrale, shtetasi A. T., 68 vjeç, banues në Vlorë, i cili vuante gjithashtu nga probleme të shëndetit mendor dhe prej disa ditësh ishte larguar nga banesa ku jetonte me bashkëshorten.
Njoftimi/ Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Vlorë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, shtetasin L. K., 73 vjeç, banues në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, pasi më datë 15.08.2025, në lagjen “10 Korriku”, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur në kokë me send të fortë (çekan gome) shtetasin A. H., 25 vjeç, banues në Vlorë, i cili ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal Vlorë, jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në DVP Vlorë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasit B. Sh., 52 vjeç, A. Dh., 25 vjeç, M. Dh., 43 vjeç, M. Sh., 61 vjeçe, dhe A. Z., 67 vjeç, pasi janë konstatuar në mënyrë të përsëritur duke ushtruar aktivitet tregtar bar–restorant, në mënyrë të kundërligjshme, pa qenë të pajisur me lejen përkatëse, në plazhin “Gjipe”, hapësirë publike e administruar nga Bashkia Himarë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë ndaluan shtetasin R. M., 30 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike në banesën e tyre, ndaj vëllait të tij.
Po këta specialistë referuan materiale për vlerësim, pasi më datë 14.08.2025, në lagjen “Partizani”, është gjetur pa shenja jete, dyshohet për shkaqe natyrale, shtetasi A. T., 68 vjeç, banues në Vlorë, i cili vuante gjithashtu nga probleme të shëndetit mendor dhe prej disa ditësh ishte larguar nga banesa ku jetonte me bashkëshorten.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Selenicë referuan materiale për vlerësim, pasi më datë 15.08.2025, në fshatin Drashovicë, dyshohet se për shkaqe aksidentale ka rënë zjarr dhe është djegur magazina e shtetasit F. M., 55 vjeç, banues në fshatin Drashovicë, Vlorë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasit:
-A. L., 60 vjeç, dhe Sh. R., 38 vjeçe, banues në Sarandë, pasi më datë 14.08.2025, për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me shtetasit D. A., 81 vjeç, dhe Ch. K., 74 vjeçe, banues në Sarandë.
-M. R., 33 vjeç, banues në Damthon, Angli, pasi më datë 14.08.2025, ora 04:21, është konstatuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë se kishte parkuar automjetin e tij tip “Audi”, në mënyrë të gabuar, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve në rrugën “Butrinti”, lagjja nr. 1, Sarandë.
Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Sarandë arrestuan shtetasin V. M., 31 vjeç, banues në Korçë, pasi është konstatuar nga shërbimet duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
(Kosova Sot Online)