OEK: KEDS ka shkuar me policë tek bizneset për të bërë shkyçjen

  • A.P /
  • 16 August 2025 - 17:08
OEK: KEDS ka shkuar me policë tek bizneset për të bërë shkyçjen

KEDS ka nisur shkyçje masive pas përfundimit të afatit për bizneset që s’kanë arritur marrëveshje me furnizues të licencuar nga ZRRE. Ndaj kësaj ka reaguar Oda Ekonomike e Kosovës, nga ku përmes një komunikate për media është kundërshtuar ky veprim, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

OEK ka theksuar se kanë përcjell me shqetësim situatën ‘’kaotike’’ që është krijuar nga ‘’vendimi i jashtëligjshëm’’ i ZRrE-së për ndërprerjen e energjisë elektrike.

Nga OEK është thënë edhe se, ata kanë pranuar ankesa nga bizneset se zyrtarët e KEDS-it, nën shoqërimin e policisë kanë shkuar në objektet dhe hapësirat e bizneseve për të ndërprerë rrymën.

Në komunikatë theksohet edhe se ky veprim, pra ‘‘qëndrimi prapa i aparaturës policore’’  për të ndërprerë rrymën, paraqet humbje shprese’’.

‘‘Oda Ekonomike e Kosovës kundërshton ndërprerjen e energjisë që rrezikon bizneset dhe ekonominë e vendit

Oda Ekonomike e Kosovës ka përcjellë sot me shqetësim situatën kaotike që është krijuar nga vendimi i jashtëligjshëm i ZRrE-së për ndërprerjen e energjisë elektrike. Ky është një vendim që sot ka goditur në mënyrën më të ulët bizneset, ekonominë e vendit dhe për më keq, qytetarët e Republikës së Kosovës. Kemi pranuar ankesa nga bizneset se zyrtarët e KEDS-it, nën shoqërimin e policisë kanë shkuar në objektet dhe hapësirat e bizneseve për të ndërprerë energjinë elektrike. Prania e policisë ka krijuar një imazh shumë negativ tek kompanitë, sidomos tek investitorët e huaj. Qëndrimi prapa i aparaturës policore në ekzekutimin e këtij vendimi paraqet jo vetëm humbje shprese për të sjellë investime të huaja, por edhe humbje të mundësive për zgjerimin e investimeve të bizneseve vendore’’, thuhet mes tjerash.

Tutje, nga OEK është thënë se ka raste që zyrtarët e KEDS kanë shkuar për të ndërprerë rrymën edhe tek bizneset që kanë kontrata të lidhura.

‘‘Gjithashtu, kemi raste kur bizneset kanë kontrata të lidhura, por zyrtarët e KEDS-it prapëseprapë kanë shkuar për të ndërprerë energjinë elektrike. Po ashtu, kemi biznese që nuk e plotësojnë kriterin ligjor për të dalë në tregun e lirë të energjisë elektrike, megjithatë edhe atyre u është ndërprerë energjia. Kjo e tregon më së miri se procesi i daljes në tregun e lirë të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit për Energji nuk ka qenë fare i përgatitur’’, është thënë më tej.

Në fund, OEK i ka bërë thirrje ZRrE-së të ndalojë menjëherë këto veprime dhe të kthehet në dialog me përfaqësuesit e sektorit privat për të organizuar një tranzicion të mirëplanifikuar për daljen në tregun e lirë të energjisë

‘‘Për këtë arsye, i bëjmë thirrje ZRrE-së të ndalojë menjëherë këto veprime arbitrare (dhunshme) dhe të kthehet në dialog me përfaqësuesit e sektorit privat për të organizuar një tranzicion të mirëplanifikuar për daljen në tregun e lirë të energjisë. Vetëm në këtë mënyrë mund të mbrohen bizneset të cilat përbëjnë 60% të ekonomisë së Kosovës, kanë të punësuar 143 mijë qytetarë të vendit dhe janë më meritorët për stadin ku ka arritur zhvillimi i shtetit të Kosovës. Një vendimi të tillë si sot, të vetmit që iu janë gëzuar janë armiqtë e Kosovës’’, përfundohet nga OEK.

(Kosova Sot Online)