
E trishtë: U vranë tre persona në Gjilan por nuk u arrestua askush

Kanë kaluar një javë nga kur në Gjilan, në pikë të ditës, në qendër të qytetit, u vranë tre persona, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Një javë pas, tre të dyshuarit, Mefaiil Shkodra, Engjëll Shkodra e Edonis Shkodra janë në arrati. Deri tash, bilanci është vetëm katër zyrtarë të suspenduar nga IPK-ja.
Ndërkohë që të tre të dyshuarit ia dolën të arratisen fare shpejt nga vendi i ngjarjes dhe as pas një dite nuk është lokalizuar vendndodhja e tyre. Kjo ngjarje e rëndë ka trazuar opinionin vendor dhe është bërë brum për debat të ashpër edhe mes institucioneve. Në konferencë për shtyp që mbajti dje Policia e Kosovës bashkë me Prokurorinë e Gjilanit u bë e ditur se plot 30 vepra penale rëndojnë mbi Mefail Shkodërn, famëkeq në veprimtari si organizim i grupeve kriminale, fajde, kërcënim, detyrim (etj). Ndërkaq vetëm gjatë ditës së sotme u ‘sqaruan’ Gjykata Themelore dhe Prokuroria Special se si u bë që Mefail Shkodra me të birin e tij dolën të lirohen nga paraburgimi (qershor – tetor, 2024) përmes ndërrimit të masës me ‘dorëzani’. Njëri me dorëzani 50 mijë euro, tjetri 20 mijë: 70 mijë euro që të dy si tiketë dalje nga paraburgimi.
(Kosova Sot Online)