
Raportohet se rreth 450 biznese janë shkyçur nga rrjeti elektrik

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, paralajmëroi se sot do të dorëzojnë padi në Gjykatën Supreme për të kundërshtuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për shkyçjen e qindra bizneseve nga rrjeti elektrik, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ai tha se Oda Ekonomike e Kosovës do ta pshfrytëzojë rdorë hapësirën ligjore për t’i mbrojtur bizneset.
“Ne sot në emër të anëtarëve të OEK-ut do ta shfrytëzojmë rastin të shkojmë me kërkesë padi në Gjykatën Supreme. Lënda është kompletuar, sot do të dorëzohet në administratën e Gjykatës Supreme. Do të kërkojmë të drejtën që na e njeh ligji, në emër të bizneseve. Ne si OEK nuk e kemi gëzuar të drejtën për të shkuar në Gjykatë Komerciale në emër të bizneseve, por në Gjykatën Supreme kemi gjetur hapësirë ligjore që mund të shkojmë”, tha ai.
Rafuna tha se procesi është zhvilluar me veprime të kundërligjshme dhe të padrejta, të cilat sipas tij e kanë dëmtuar rëndë ekonominë e vendit.
Rafuna tha për Ekonomia Online se ndërprerjet e bëra gjatë fundjavës i kanë ekspozuar bizneset si të ishin të paligjshme, gjë që, sipas tij, është e papranueshme.
“Në këtë proces kanë ndodhur shumë veprime të kundërligjshme, shumë veprime të pamenduara mirë dhe jo të drejta. Përveç që të kundërligjshme dhe të dëmshme që i kemi arsyetuar shumë herë, nuk ka qenë e drejtë që energjia elektrike të ndërpritet ditën e shtunë kur është vikend e që biznesi të jetë deri sot pa energji elektrike dhe të mos ketë mundësi të bëjë asgjë. Gjatë vikendit na kanë informuar që me polici ju kanë shkuar, ju kanë krijuar një imazh shumë të keq sikur të jenë biznese kriminale, se jo biznese shumë të ndershme që kanë paguar tatim dhe çka ka pasur të bëhet një shkëputje e energjisë elektrike”, tha Rafuna.
Ai bëri të ditur se sipas të dhënave të OEK-ut deri më tani janë shkyçur nga energjia elektrike rreth 450 biznese dhe se pritet që numri të rritet.
(Kosova Sot Online)