KQZ synon publikim më të shpejtë të rezultateve preliminare

  • A.P /
  • 18 August 2025 - 14:15
KQZ synon publikim më të shpejtë të rezultateve preliminare

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po synon që më 12 tetor të transmetojë dy lloje të rezultateve preliminare, rezultatet e kandidatëve për kryetar të komunave dhe rezultatet e subjekteve politike për kuvende komunale. Kështu bënë të ditur, zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi i cili thotë se po punohet në mënyrë që të mos ketë vonesa në publikimin e rezultateve siç ndodhi në zgjedhjet e 9 shkurtit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka bërë të ditur se ky institucion është në fazën përgatitore të procesit zgjedhor dhe aktualisht është duke i trajtuar edhe sfidat me të cilat është ballafaquar në zgjedhjet e fundit.

Në një përgjigje për Radio Kosovën, Elezi thotë se në këtë drejtim, është duke u punuar në përgatitjen e platformës elektronike për transmetimin e rezultateve preliminare pas numërimit të fletëvotimeve në vendvotime, e cila do të shërbejë edhe për futjen e të dhënave nga numërimi i fletëvotimeve në Qendrat Komunale të Numërimit. Ai thotë se KQZ synon që më 12 tetor të publikohen rezultatet preliminare të kandidatëve për Kryetarë të Komunave dhe të subjekteve politike që janë në garë për Kuvende Komunale.

“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve do të bëhet në vendvotime dhe në Qendrat Komunale të Numërimit. Në Zgjedhjet për Kryetar Komune, numërimi i votave të kandidatëve do të bëhet në vendvotime, pas mbylljes së procesit të votimit. Në Zgjedhjet për Kuvende Komunale, numërimi i votave të subjekteve politike do të bëhet në vendvotime pas përfundimit të votimit, ndërkaq numërimi i votave për kandidatët e subjekteve politike do të bëhet në Qendra Komunale të Numërimit”, tha Elezi për Radio Kosovën.

Ndryshe, koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim në raportin e vëzhgimit të zgjedhjeve të 9 shkurtit, pati theksuar se procesi i votimit ishte shoqëruar me disa parregullsi dhe shkelje, kryesisht të natyrës procedurale. Në raport thuhet se “Problemet teknike me sistemin elektronik të publikimit të rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të shfaqura vetëm disa orë pas përfundimit të votimit, krijuan konfuzion të madh dhe ulën besimin e publikut në transparencën e procesit. Kjo situatë çoi në përdorimin e metodave manuale të përpunimit dhe krahasimit të rezultateve, duke qenë se paraprakisht u raportuan rezultate matematikisht të pamundura, të dhëna të pasakta për daljen në votime, dhe probleme të tjera me formularët e rezultateve”.

Drejtues të Institutit Demokratik të Kosovës, të kontaktuar nga Radio Kosova, kanë thënë se shpresojnë se disa nga rekomandimet që i takojnë çështjeve teknike, të përmirësohen nga KQZ-ja.


(Kosova Sot Online)