Kushtetuesja konstaton se 'deputetët e zgjedhur nuk e kanë zbatuar Aktgjykimin e Gjykatës'

  • A.P /
  • 18 August 2025 - 16:01
Kushtetuesja konstaton se 'deputetët e zgjedhur nuk e kanë zbatuar Aktgjykimin e Gjykatës'

Gjykata Kushtetuese nuk ka përmendur ndonjë pasojë për deputetët e Kuvendit të Kosovës për shkak të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues 30-ditor të dhënë në një aktgjykim të 26 qershorit. Rrjedhimisht, nuk dihen pasojat as në rast se edhe ky aktgjykim nuk zbatohet, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Aktgjykimi i plotë i publikuar sot nga Gjykata Kushtetuese, përmban edhe një pjesë lidhur me moszbatimin e aktgjykimit paraprak në lidhje me konstituimin e Kuvendit. Gjykata ka përmendur një opinion të Komisionit të Venecias për këtë çështje.

Kushtetuesja konstatoi se “deputetët e zgjedhur nuk e kanë zbatuar Aktgjykimin e Gjykatës”, duke treguar se cilat kërkesa i trajtoi.

“Në vijim të konstatimit të lartcekur, që deputetët e zgjedhur të Kuvendit nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e Gjykatës brenda afatit të përcaktuar 30 (tridhjetë) ditor të përcaktuar në pikën II paragrafin 2 të dispozitivit të Aktgjykimit të Gjykatës në rastin KO124/25, Gjykata në rrethanat e përfundimit të këtij afati brenda të cilit Kuvendi nuk ka arritur që të konstituohet dhe vendosjes ex officio të masës së përkohshme, të 24 korrikut 2025 për ndalim të çdo vendimi dhe veprimi të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit deri në zgjidhjen e meritave të kërkesave, konsideron që objekt i vlerësimit dhe interpretimit lidhur me kërkesat para saj janë (i) vlerësimi i veprimeve të Kryesuesit të Seancës Konstituive gjatë kryesimit të seancave për konstituimin e Kuvendit, të mbajtura brenda afatit 30 (tridhjetë) ditor pas hyrjes në fuqi të Aktgjykimit në rastin KO124/25; dhe (ii) përcaktimi i detyrimeve të deputetëve të zgjedhur për konstituimin e Kuvendit dhe mënyrën e zbatimit të Aktgjykimit të Gjykatës në rastin KO124/25”, thuhet në arsyetim.

Gjykata vë në dukje se vendimet e saj janë “të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.

“Në ndërlidhje me këtë dispozitë kushtetuese, rregulli 60 (Zbatimi i vendimeve) i Rregullores së Punës të Gjykatës gjithashtu përcakton që: (i) të gjitha organet kushtetuese, përfshirë gjykatat e autoritetet tjera, janë të obliguara të respektojnë dhe të zbatojnë vendimet e Gjykatës, brenda kompetencave te tyre të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj; dhe (ii) të gjithë personat fizikë dhe juridikë janë të obliguar të respektojnë vendimet e Gjykatës dhe t’u përmbahen atyre”.

Kushtetuesja thotë se “të gjitha veprimet që ndërmerren nga personat e mveshur me fuqi ose autorizim publik duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën dhe frymën e saj dhe të kontribuojnë në mbarëvajtjen dhe bashkërendimin e punëve me interes publik për shtetin, duke mundësuar që ai të zhvillohet dhe të jetësojë vlerat dhe parimet mbi të cilat është ndërtua”.

“Sipas Gjykatës çdo pengesë ose mungesë bashkëpunimi në përmbushjen e detyrimeve dhe autorizimeve kushtetuese, është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës (shih, rastin e Gjykatës KO72/20, parashtrues Rexhep Selimi dhe 29 deputetë të tjerë, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, i 30 prillit 2020, paragrafët 476-478)”, thuhet në arsyetim.

Kushtetuesja përmend një opinion të Komisionit të Venecias për kompetencat e Gjykatës për çështjen e detyrimit të ekzekutimit të vendimeve të saj.

“Gjykata, vë në dukje që Komisioni i Venecias thekson që zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është një kërkesë thelbësore e sundimit të ligjit (shih, Opinionin CDL- AD(2018)028 e Komisionit të Venecias lidhur me Rregullimet kushtetuese dhe ndarja e pushteteve, si dhe pavarësia e gjyqësorit dhe e organeve të zbatimit të ligjit, miratuar më 14-15 dhjetor 2025, paragrafi 77). Gjykata, në vijim, vë në dukje se çështja e detyrimit për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatave të Kushtetuese është trajtuar edhe nga Komisioni i Venecias, dhe në lidhje me këtë, ky i fundit, në një ndër opinionet e saj, përkatësisht përmes Opinionit CDL-AD (2017) 003 përkitazi me Ligjin për ndryshimin e Ligjit Organik Nr. 2/1979 mbi Gjykatën Kushtetuese të Spanjës (i miratuar më 10-11 mars 2017) trajton çështjen e natyrës së vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe kujt i takon obligimi për t’i ekzekutuar, nëse këto të fundit nuk respektohen nga palët të cilave i janë drejtuar. Përmes këtij opinioni, Komisioni i Venecias theksoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe kanë karakter detyrues (paragrafët 8 dhe 69 të Opinionit). Sipas Komisionit të Venecias: “Kjo është pasojë e supremacisë së Kushtetutës. Mosrespektimi i një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese është mosrespektim i Kushtetutës dhe i pushtetit kushtetues, e cila i atribuon Gjykatës Kushtetuese kompetencën për të garantuar këtë supremaci të Kushtetutës. Kur një zyrtar publik refuzon të zbatojë një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, ai ose ajo shkel Kushtetutën, duke përfshirë parimet e sundimit të ligjit, ndarjen e pushteteve dhe bashkëpunimin lojal të organeve shtetërore […]” (shih, paragrafin 8 të Opinionit)”.

Prandaj, në kontekst të çështjeve të ngritura, Kushtetuesja thotë se ka urdhëruar që konstituimi i Kuvendit të bëhet brenda 30 ditësh dhe që votimi të bëhet në formë të hapur. Gjithashtu, grupi më i madh parlamentar ka të drejtë ta hedhë në votim deri në 3 herë emrin e njëjtë të kandidatit/tes për kryeparlamentar/e.

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha sot se i kanë respektuar “gjithmonë” vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por shtoi këtë: “Kur më pyesin sërish a do ta respektojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, kjo më bën të mendoj që do të jetë i pazakonshëm, i padrejtë e i padurueshëm, saqë ndoshta duhet ta konsiderojmë se çfarë duhet të bëjmë”.

(Kosova Sot Online)