
Dhomat e Specializuara në Hagë vendosin kufizime në vizitat e Hashim Thaçit për 11 persona

Në vizitat e Hashim Thaçit për 11 persona, në çështjen kundër administrimit të drejtësisë, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është marrë vendim për të vendosur kufizime.
Ndonëse Prokuroria kërkoi që vizitat të ndaloheshin për tre vëllezërit e Thaçit, kërkesa u miratuar vetëm për 11 të tjerë. Pra, vizitat u ndaluan për Artan Behramin, Blerim Shalën, Ismail Sylën, Vllaznim Kryeziun, Milaim Ahmetajn, Milaim Cakiqin, Avni Kastratin dhe katër persona të tjerë emri i të cilëve është i redaktuar ngjashëm si i vëllezërve të Thaçit.
“Gjykatësi i Procedurës Paraprake thekson se kufizimet e miratuara në këtë vendim kufizohen vetëm në vizitat jo të privilegjuara të z. Thaçi në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara nga: Artan Behrami, Blerim Shala, Ismail Syla, Vllaznim Kryeziu, \[REDAKTUAR], \[REDAKTUAR], Milaim Ahmetaj, Milaim Cakiqi, Avni Kastrati, \[REDAKTUAR] dhe \[REDAKTUAR]. Këto kufizime do të hyjnë në fuqi menjëherë pas njoftimit të këtij vendimi për z. Thaçi”, thuhet në vendim.
Vendimi ëhstë marrë më 18 gusht 2025 nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot.
Prokuroria kërkesën e vet e arsyeton me pretendime se këta persona kur kanë vizituar Thaçin më herët kanë folur me zë të ulët dhe i akuzuari iu ka dhënë udhëzime që t’i përcillnin tek dëshmitarët.
Ata kanë pretenduar se këta persona mund të ndalohen të vizitojnë Thaçin për arsye legjitime. Veç kësaj, edhe nëse iu ndalohet vizita tre vëllezërve të Thaçit, Prokuroria thotë se i akuzuari i ka edhe dy të tjerë që mund ta vizitojnë.
Mbrojtja e Thaçit e kryesuar nga Sophie Menegon kishte thënë se kufizimet e kërkuara janë të panevojshme dhe cenojnë të drejtat themelore të Thaçit për jetën private dhe familjen.
Veç kësaj, Prokuroria kishte kërkuar që të diskutohet gjatë vizitave për çështjen për krime lufte ose atë kundër administrimit të drejtësisë. Ndërsa, mbrojtja thotë se Thaçi nuk duhet të ndalohet të diskutojë ato që janë në domenin publik.
Gjyqtarja e procedurës paraprake, konstatoi se kufizimet e kërkuara janë të nevojshme për të zbutur rrezikun e zbulimit të informacioneve konfidenciale lidhur me dëshmitarët e mbrojtur të Prokurorisë.
Gjyqtarja thotë se këto kufizime janë vetëm tek individët për të cilët ka tregues të besueshëm që kanë marrë pjesë në vizita të paprivilegjuara në të cilat Thaçi ka zbuluar informacione konfidenciale.
Për njërin nga personat- emri i të cilit është i redaktuar, gjyqtarja thotë se është emëruar konsulent në ekipin mbrojtës në çështjen për krime lufte në bazë të një letre konfidenciale që mbrojtësi i Thaçit ia ka drejtuar administratores.
Sipas vendimit, ky person, më 1 korrik 2023 ishte pjesë e një vizite tek Thaçi në të cilat ky i fundit së bashku me Behramin dhe Kastratin kishin folur lidhur me dëshminë e një dëshmitari të mbrojtur. Sipas gjyqtares së procedurës paraprake, ky është një indikacion i besueshëm që personi në fjalë mund të përfshihet në sjellje të papranueshme për integritetin e procedurave.
“Duke marrë në konsideratë të gjitha rrethanat dhe faktorët e përmendur më sipër si një tërësi, Gjykatësi i Procedurës Paraprake e konsideron të nevojshme të ndalohet [REDAKTUAR] nga mbajtja e vizitave jo të privilegjuara me z. Thaçi në praninë e palëve të treta”, thuhet në vendim.
Për tre vëllezërit e tij, Masselot thotë se më 12 gusht dhe 1 tetor, ata, Thaçi dhe persona të tjerë biseduan për dëshmitarë të mbrojtur dhe mënyrën se si duhet të dëshmojë një dëshmitar. Po ashtu, u tha se ata biseduan edhe për dëshminë e një dëshmitari viktimë në një seancë private.
Masselot thotë se kjo ofron indikacione të besueshme që tre vëllezërit e Thaçit kanë marrë pjesë në vizita në të cilat i akuzuari ka zbuluar informacione konfidenciale.
Megjithatë, Masselot thotë se në një mjedis paraburgimi është e drejtë thelbësore e të paraburgosurit për respektimin e jetës familjare që kontakti me të afërmit, duke përfshirë edhe vëllezërit e tij, të ruhet.
Gjyqtarja Masselot mori në konsideratë edhe parashtrimin e mbrojtjes që tre vëllezërit e Thaçit i japin mbështetje morale atij gjatë kësaj periudhe të ballafaqimit me drejtësinë. Andaj, Masselot në vendim tha se është e vetëdijshme për faktin se babai i Thaçit ka ndërruar jetë se fundmi dhe pranoi se në rrethana të tilla, ruajtja e kontaktit me anëtarët e familjes duke përfshirë edhe vëllezërit e tij, është thelbësore.
Si rrjedhojë, refuzoi kërkesën e Prokurorisë për të vendosur kufizime në vizitat e vëllezërve të Thaçit.
Ndërsa, për kërkesën për të vendosur kufizime lidhur me diskutimet për çështjen për krime lufte dhe atë kundër administrimit të drejtësisë, Masselot ka vendosur se një gjë e tillë nuk është e nevojshme.
“Në dritën e sa më sipër, Gjykatësi i Procedurës Paraprake konstaton se kufizimet e kërkuara mbi bisedat për çështjet e z. Thaçi, për aq sa ato kanë të bëjnë me informacionin publikisht të disponueshëm, nuk janë as të nevojshme dhe as proporcionale, dhe rrjedhimisht refuzohen”, thuhet në vendim i cili specifikon se këto kufizime duhet të rishikohen çdo tre muaj.
Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë, sipas “Betimi për Drejtësi“.
(Kosova Sot Online)