
Dështon sërish seanca: Nuk ka vota për Albulena Haxhiun

Lëvizja Vetëvendosje sërish ka propozuar Albulena Haxhiun për kryeparlamentare në vazhdimin e sotëm të seancës konstituive, e cila u mbajt pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Haxhiu dështoi sërish të marrë votat.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi lexoi rregullat e vendosura nga Gjykata Kushtetuese, ka ftuar Vetëvendosjen për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit të Kosovës.
Në foltore doli ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha se Haxhiu është deputetja e propozuar për kryeparlamentare.
Nga 116 deputetë sa ishin prezentë në sallë, 57 otuan për, kundër 56 dhe tri abstenime.
Vetëvendosje e propozoi Haxhiun përkundër qëndrimeve të ditura të partive të tjera se nuk do ta votojnë atë për kryeparlamentare.
Haxhiu s’mori mbështetjen e nevojshme të Kuvendit edhe në pesë herët kur emri i saj u propozua në votim të hapur. Ndërkaq, edhe përpjekjet e Vetëvendosjes në disa seanca radhazi që të imponojë votimin e fshehtë i dështuan dhe aktgjykimi i Kushtetueses konstatoi se kryesuesi i seancës, deputeti i Vetëvendosjes, Avni Dehari, ka shkelë Kushtetutën.
Pas dështimit të Albulena Haxhiut për të marrë votat e nevojshme për t’u bërë kryetare të kuvendit, VV ka propozuar ministren në detyrë të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
As Gërvalla nuk arriti t’i marrë 61 vota.
Tashmë Vetëvendosje nuk mund të propozojë pafundësisht emrin e Haxhiut meqë Kushtetuesja ka vendosur që subjekti më i madh parlamentar ka të drejtë të propozojë emrin e njëjtë deri në tri herë.
Kuvendi është i obliguar të konstituojë legjislaturën e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurti brenda 30 ditëve, duke nisur nga 18 gushti.
Kushtetuesja po ashtu e ka obliguar Vetëvendosjen që të gjejë konsensus dhe të mos e bllokojë konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Gjykata tashmë, ka theksuar që kjo e drejtë për propozimin e kandidatit për Kryetar/e të Kuvendit përbën njëkohësisht edhe detyrim për grupin më të madh parlamentar për bashkëpunim në mirëbesim dhe konsultim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare për të gjetur konsensusin apo kompromisin e nevojshëm dhe se kjo e drejtë në asnjë mënyrë nuk mund të rezultojë në bllokimin e konstituimit të Kuvendit”, thuhet në pikën 145 të aktgjykimit.
(Kosova Sot Online)