
Kadrijaj: Nuk do t’i kthejë pagat e marra për seancat e shpallura të pavlefshme

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka deklaruar se nuk do t’i kthejë pagat e marra për seancat e shpallura të pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ajo tha se përgjegjës për këtë situatë janë ata që kanë shkelur Kushtetutën dhe jo deputetët që kanë respektuar ftesat për seancë.
Kadrijaj përmendi emrat e Albin Kurtit, Donika Gërvallës dhe Hekuran Deharit si përgjegjës, duke theksuar se ata duhet të sanksionohen për keqinterpretimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Ish dashur ta pyesni zotin Dehari, sepse vazhdimisht kemi thënë se është antikushtetuese kjo që po bën kjo qeveri, dhe pikërisht për këtë i jemi drejtuar gjykatës kushtetuese dhe ne nuk kemi votuar sepse nuk kemi dashur të jemi pjesë e një shkelje ligjore dhe kushtetuese. Pyetne zotin Dehari, Albin Kurtin, Donika Gërvallën se pse e kanë shkelur Kushtetutën. Cili është faji im dhe i deputetëve që i kemi respektuar ftesat për t’u bërë pjesë e seancave, por jo edhe e shkeljes së Kushtetutës? Le të sanksionohen ata që e kanë shkelur Kushtetutën qëllimshëm me vetëdije të plotë duke e keqinterpretuar vendimin e parë të gjykatës kushtetuese. Ne nuk kemi pranuar të bëhemi shkelës të Kushtetutës”, deklaroi deputetja Kadrijaj.
(Kosova Sot Online)