Putini kërkon që Ukraina të heqë dorë nga Donbasi, të mos anëtarësohet në NATO dhe të mos strehojë trupa të huaja

  • A.P /
  • 22 August 2025 - 09:09
Putini kërkon që Ukraina të heqë dorë nga Donbasi, të mos anëtarësohet në NATO dhe të mos strehojë trupa të huaja

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, po kërkon që Ukraina të heqë dorë nga tërë territori i rajonit lindor të Donabsit, të mos e synojë anëtarësimin në NATO, të mbetet neutral dhe të mos pranojë trupa perëndimore në territorin e saj, i kanë thënë agjencisë së lajmeve “Reuters” tri burime të afërta me diskutimet e nivelit të lartë në Kremlin, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Presidenti rus u takua me homologun amerikan, Donald Trump, të premten e javës së kaluar në Alaska dhe i kaloi gati të gjitha tri orët e diskutimit me dyer të mbyllura duke folur se si do të mund të dukej kompromisi i Ukrainës, sipas burimeve që kërkuan të mbeteshin anonime.

Duke folur më pas krahas Trumpit, Putini tha se shpreson që takimi me presidentin amerikan do ta hapte rrugën drejt paqes në Ukrainë, por asnjëri nga udhëheqësit nuk dha hollësi për atë që e kishin diskutuar.

Në raportimin më të hollësishëm me bazë në burime ruse deri më tani rreth ofertës së Putinit në samit, agjencia “Reuters” arriti që t’i përvijonte skicat e asaj se si do të donte Kremlini që ta shihte marrëveshjen e mundshme të paqes për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Burimet ruse thanë se, në thelb, Putini ka bërë kompromis rreth kërkesave territoriale që i kishte paraqitur në qershorin e vitit 2024, ku Kievit i kërkohej që t’i dorëzonte në tërësi katër provincat të cilat Moska pretendon se tashmë janë pjesë e Rusisë: Donetskun e Luhanskun në lindje të Ukrainës, të cilat e përbëjnë Donabsin, si dhe Khersonin e Zaporizhian në jug.

Në propozimin e tij të ri, presidenti rus ka këmbëngulur që Ukraina të tërhiqhet tërësisht nga pjesët e Donbasit që i ka ende nën kontroll, sipas tri burimeve. Si këmbim, Moska do të ndalej në viat aktuale të frontit në Zaporizhia dhe Kherson, shtuan ato.

Rusia ka nën kontroll rreth 88 për qind të territorit të Donbasit e 73 për qind të Khersonit e Zaporizhias, sipas vlerësimeve të Shteteve të Bashkuara dhe të dhënave me burime të hapura.

Burimet thanë se Rusia gjithashtu është e gatshme që të dorëzojë pjesë të vogla të rajoneve Kharkiv, Sumy dhe Dnipropetrovsk të Ukrainës si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme.

Putini gjithashtu po këmbëngul në kërkesat e tij të mëparshme që Ukraina të heqë dorë nga hyrja në NATO dhe të sigurojë një zotim ligjërisht të detyrueshëm nga NATO-ja se aleanca nuk do të zgjerohet më tej në lindje, si dhe kufizime ndaj ushtrisë ukrainase dhe një marrëveshje se trupat e huaja nuk do të dislokohen në terren në Ukrainë si pjesë e një force paqeruajtëse, thanë burimet.

Ministria e Jashtme e Ukrainës nuk pati koment të menjëhershëm rreth propozimeve. Presidenti Volodymyr Zelensky në mënyrë të përsëritur e ka hedhur poshtë idenë e tërheqjes nga territori ukrainas i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e një marrëveshjeje dhe ka thënë se rajoni industrial ii donabsit shërben si fortesë që e spraps avancimin e rusëve më thellë brenda Ukrainës.

“Nëse po flasim thjesht për tërheqje nga lindja, ne nuk mund ta bëjmë këtë” – tha ai para gazetarëve. “Është çështje e mbijetesës së vendit tonë, që i përfshin vijat më të forta të mbrojtjes” – shtoi Zelensky.

Shtëpia e Bardhë dhe NATO-ja nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment rreth propozimeve ruse.

(Kosova Sot Online)