
Krasniqi: Hekuran Murati ishte dëshmi që Vetëvendosje s’e ka vullnetin për të formuar institucionet

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se propozimi i Hekuran Muratit për kryeparlamentar ishte dëshmi që Lëvizja Vetëvendosje s’e ka vullnetin për të formuar institucionet, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Ata e sollën edhe njëherë një kandidat që e dinin saktë që nuk i merr votat sepse e kemi bërë të qartë që PDK s’e voton asnjë anëtar të ish-kabinetit të Kurtit 2 dhe këtu po e përfshijmë edhe shefen e Grupit Parlamentar sa për qartësim, sepse nga pozicioni i saj ajo ndërlidhjen e ka dhe rëndësinë ndoshta më shumë më të madhe se plot prej ministrave”.
Krasniqi tha se “janë edhe 35 kandidatë të tjerë që i ka Lëvizja Vetëvendosje e që po të dilnin ndoshta sot do ta kishim të zgjedhur edhe kryetarin edhe kryesinë edhe konstituimin e Kuvendit”.
“Megjithatë, tash besoj që edhe nëse dikush e ka pasë edhe dyshimin më të vogël se ka një përpjekje të vërtetë nga ana e Vetëvendosjes u bë e qartë që një gjë e tillë nuk qëndron sepse vetëm po vijmë në seanca për të humbur kohë në lojën absolutisht të padrejtë të Albin Kurtit për të humbur kohë dhe ndoshta për të zvarritur këtë 30-ditësh që pastaj të hyjmë në një thellim tjetër të krizës”.
(Kosova Sot Online)