Kuvendi i Republikës Sërpska miraton vendimin jokushtetues

  • A.P /
  • 23 August 2025 - 10:33
Kuvendi i Republikës Sërpska miraton vendimin jokushtetues

Kuvendi Popullor i Republikës Sërpska (RS) miratoi të premten mbrëma një vendim antikushtetues për mbajtjen e një referendumi, në të cilin qytetarët e këtij entiteti do të duhet të shprehen mbi aktgjykimin e Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës kundër Millorad Dodikut dhe vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të Bosnje e Hercegovinës me të cilin atij iu hoq mandati i presidentit të RS-së, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Referendumi do të mbahet, sipas vendimit të miratuar, më 25 tetor të këtij viti.

Vendimi për referendumin nuk është në përputhje me Kushtetutën e Bosnjë e Hercegovinës, e cila nuk parashikon mundësinë që entitetet të shpallin në mënyrë të pavarur referendume mbi vendimet e institucioneve shtetërore.

Pyetja e referendumit, e cila u lexua në seancë nga shefi i Grupit Parlamentar të SNSD-së, Sërxhan Mazalica, është:

“A i pranoni vendimet e të huajit të pa zgjedhur Christian Schmidt [përfaqësues i lartë ndërkombëtar në Bosnje] dhe aktgjykimet e Gjykatës antikushtetuese të Bosnje e Hercegovinës të shqiptuara kundër presidentit të RS-së, si dhe vendimin e KQZ-së për heqjen e mandatit presidentit të RS-së, Millorad Dodik?”

Për vendimin votuan 50 nga 65 deputetët e pranishëm, ndërsa pjesa tjetër prej 15 deputetësh, që morën pjesë në votim, nuk votuan as për, as kundër.

Autoritetet e RS-së nuk e njohin përfaqësuesin e Lartë në Bosnje, Christian Schmidt, dhe ia kontestojnë legjitimitetin, duke pretenduar se emërimi i tij nuk është konfirmuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Koalicioni qeverisës në RS më herët kishte propozuar që referendumi të mbahej më 18 ose 25 tetor, por data u përcaktua vetëm gjatë vetë seancës, kur u precizua edhe pyetja e referendumit.

Vendimin për referendumin e shoqëroi edhe miratimi i ndryshimeve, me procedurë të përshpejtuar, në Ligjin për referendumin dhe nismën qytetare, të cilat do t’i mundësojnë Kuvendit të RS-së të formojë komisione të veçanta për referendumet.

Gjykata e Bosnje e Hercegovinë në fillim të gushtit shpalli një vendim të formës së prerë me të cilin Millorad Dodik u dënua me një vit burg, si dhe ndaj tij u shqiptua një ndalim prej gjashtëvjetësh i ushtrimit të funksioneve publike. Dënimi me burg u shlye me një pagesë monetare, ndërsa KQZ e Bosnjës, duke vepruar sipas aktgjykimit, ia hoqi Dodikut mandatin e presidentit të RS-së.

Që nga 18 gushti, Dodik zyrtarisht nuk është më president i RS-së, ndërsa KQZ e Bosnje është e detyruar që brenda 90 ditësh të shpallë zgjedhje të parakohshme për presidentin e entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë.


(Kosova Sot Online)