Arrestohet një person në Shqipëri pasi kërkohej nga autoritetet

  • A.P /
  • 23 August 2025 - 16:00
Arrestohet një person në Shqipëri pasi kërkohej nga autoritetet

Policia e Shtetit ka arrestuar në Laç shtetasin Gjergj Gjoka, 40 vjeç, i njohur gjithashtu me identitetet Gjergj Marku, Gjergj Ruqja dhe Gjergi Ruqja, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas Policisë, Gjoka akuzohet për disa vepra penale në Spanjë, përfshirë “Krime kundër shëndetit publik”, “Kultivim i bimëve narkotike”, “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Vjedhje e energjisë elektrike”.

Sipas policisë ky person ka qenë pjesë e një grupi kriminal që merrej me trafikun e drogës.

“Ky shtetas ka qenë pjesë e një grupi kriminal me ndarje të qartë të funksioneve të anëtarëve, duke filluar nga gjetja e ambienteve, marrja me qira dhe përshtatja e tyre për kultivim droge, deri te montimi i pajisjeve për kultivimin e drogës,” njofton policia.

Gjatë operacioneve në Spanjë janë zbuluar dy ambiente të përshtatura për kultivim, një në Oropesa dhe një në Cabanes, raporton euronewsal.

Arrestimi i tij u realizua pas koordinimit me partnerët spanjollë dhe Interpol, dhe tani po punohet për ekstradimin drejt Spanjës, në bashkëpunim me Interpol Madrid.

(Kosova Sot Online)