Meta: Gjyqtari Erjon Çela, noter i SPAK-ut në shërbim të Ramës

  • A.P /
  • 23 August 2025 - 16:07
Meta: Gjyqtari Erjon Çela, noter i SPAK-ut në shërbim të Ramës

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nëpërmjet një audio-deklarate nga qelia, ka reaguar ndaj vendimit të gjyqtarit Erjon Çela, të cilin e akuzon se, për herë të tretë, ka vepruar jo si gjykatës i pavarur, por si “noter i SPAK-ut”, në shërbim të urdhrave politikë të Altin Dumanit dhe Edi Ramës.

Meta e cilëson si një mashtrim të pacipë pretendimin e SPAK dhe gjykatës se lirimi i tij nga paraburgimi do të sillte “intimidimin e dëshmitarëve”, duke theksuar se pothuajse asnjë prej tyre nuk është pjesë e Partisë së Lirisë sot. Përmes emrave konkretë, ai rrëzon këtë alibi duke treguar se shumica janë larguar prej kohësh nga forca politike që ai drejton, ndërsa disa prej tyre janë aktualisht të lidhur drejtpërdrejt me Partinë Socialiste apo administratën shtetërore.

Ai paralajmëroi se në seancën paraprake do të publikohen të gjitha provat që, sipas tij, do të rrëzojnë farsën gjyqësore që po përdoret si mjet presioni politik. Në fund të deklaratës, Meta bën thirrje për përshkallëzimin e aksionit opozitar, duke e konsideruar çështjen ndaj tij si shembullin më të qartë të kapjes së drejtësisë dhe të montimeve politike kundër opozitës.

Deklarata:

Nuk do ja vlente të merresha publikisht me Erjon Çelën, i cili edhe pse paguhet si gjykatës bën veçse noterin e SPAK-ut për të tretën herë, kundër meje por edhe kundër procesit të rregullt ligjor që duhet të garantojë si gjykatës.

Por nuk mund të hesht përpara një mashtrimi të pacipë të shkruaj prej tij, sipas diktatit të “Afërmendshit” (Altin Dumani), pikërisht alibisë se lirimi im për shkak të funksionit si President i Partisë së Lirisë mund të sjellë intimidimin e gjoja dëshmitarëve, që janë anëtarë të Partisë së Lirisë.

E theksoj se përveç Z. Petrit Vasili, asnjë tjetër nga dëshmitarët e SPAK-ut nuk është anëtar i Partisë së Lirisë sot.

𝟏. 𝐄𝐧𝐝𝐫𝐢𝐭 𝐁𝐫𝐚𝐢𝐦𝐥𝐥𝐚𝐫𝐢, edhe falë Dumanit, dihet botërisht se është bërë “rilindas” i thekur dhe ishte në listën e deputetëve të Partisë Socialiste.

𝟐. 𝐄𝐫𝐢𝐨𝐥 𝐁𝐫𝐚𝐢𝐦𝐥𝐥𝐚𝐫𝐢, është shkarkuar nga Partia e Lirisë që në Janar 2024 për veprimtari të dyshimtë dhe është pjesë e “Rilindjes”. Madje ishte edhe numërues i votave të saj në zgjedhjet e fundit për Partinë Socialiste.

𝟑. 𝐄𝐥𝐞𝐧𝐚 𝐆𝐚𝐜̧𝐞, ish-financerja e LSI për 20 vite që nga themelimi është larguar në mënyrë të çuditshme në pranverë të vitit 2024 dhe pa dorëzuar detyrën e saj me shumë përgjegjësi, për të cilën i është bërë edhe thirrje publike disa herë në atë kohë. Ajo është punësuar sipas asaj vet në biznesin e Endritit (Braimllarit).

𝟒. 𝐙𝐧𝐣. 𝐌𝐢𝐫𝐞𝐥𝐚 𝐌𝐞𝐫𝐤𝐨, ish-kryefinanciere e LSI para 10 vitesh. Prej 6 vitesh nuk është pjesë e LSI, por është pjesë e administratës publike.

𝟓. 𝐙. 𝐋𝐮𝐚𝐧 𝐑𝐚𝐦𝐚, ish-Sekretar i Përgjithshëm i LSI, i vetëlarguar që në gusht 2021.

Pra, ky pretendim i akuzës dhe çuditërisht, por jo dhe kaq çuditshëm, i konfirmuar në mënyrë të paturpshme nga noteri që paguhet si gjykatës është një mashtrim publik që kërkon të justifikojë pengmarrjen time për interes të regjimit mafioz të Edi Ramës.

Ne do të ruajmë konfidencialitetin deri në seancën paraprake të gjykimit dhe pastaj do të bëjmë publike të gjitha mashtrimet e “Afërmendshit” dhe të gjitha gjallesave të regjimit, që gjoja janë “prova të gjalla” por që në fakt nuk kanë asgjë kundër Ilir Metës.

Ndërsa gjallesat mashtruese të regjimit do të jenë çdo ditë në gjykimin e opinionit publik për mashtrimet e tyre dhe problemet që kanë me ligjin dhe të vërtetën.

Këto gjoja “prova të gjalla” të “Afërmendshit” do të jenë prova e vërtetë e farsës gjyqësore të shekullit: 𝐙𝐄𝐑𝐎 prova, 𝐙𝐄𝐑𝐎 fakte penale dhe 𝐙𝐄𝐑𝐎 dëshmitarë kundër Ilir Metës.

Partia e Lirisë duhet të përshkallëzojë denoncimin e aferave korruptive ulëritëse të Edi Ramës dhe kryeaferën e tij: Kapjen e Drejtësisë.

(Kosova Sot Online)