Sot në Universitetin e Arteve të Bukura mbahen homazhet për gazetarin Artur Zheji

  • A.P /
  • 25 August 2025 - 10:14
Sot në Universitetin e Arteve të Bukura mbahen homazhet për gazetarin Artur Zheji

Sot nga ora 10:00 deri në orën 12:00 në Universitetin e Arteve të Bukura mbahen homazhet për gazetarin Artur Zheji, që u nda nga jeta të shtunën teksa ndodhej në Sarandë. Më pas miqtë, kolegët, të afërmit dhe bashkëpunëtorët do t’i japin lamtumirën e fundit, për t’u përcjellë në Varrezat e Tufinës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Zheji ishte një nga zërat më të artikuluar në analizën politike, me një stil të veçantë dhe shpeshherë provokues në mënyrën se si i shpaloste qëndrimet e tij.

Spikati si gazetar, publicist, analist politik, ish-drejtues mediash dhe moderator emisionesh televizive.

Artur Zheji respektohej si nga mbështetësit, ashtu edhe nga kritikët për kapacitetin e tij për të analizuar në thellësi dhe për të thënë gjëra që shumë të tjerë i shmangnin.

Zheji do t’i mungojë familjes e miqve, ndërsa gazetarisë shqiptare do t’i mungojë një debatues i fortë publik dhe provokues interesant në panelet e debateve mediatike.

(Kosova Sot Online)